28-05-2025

Rasti “Kobra”- Mbrojtja do të propozojë si provë pamjet ku pretendon se shihet njëri nga të dëmtuarit duke hedhur shishe në drejtim të të akuzuarve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj Dibran Hoxhajt dhe të tjerëve për vrasjen në lokalin “Kobra City”, të martën, mbrojtësi i Hoxhajt, avokati Florent Latifaj tha se do të propozojnë si provë pamje të natës kritike, ku shihet njëri nga të dëmtuarit duke hedhur shishe dhe gota në drejtim të të akuzuarve.

Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prania e tyre (dëshmitarëve/të dëmtuarve) është e rëndësishme sepse krejt çfarë është thënë prej dëshmitarëve, bile edhe nga ajo që ka thënë babai i të ndjerit është në kundërshtim me çka kanë thënë ata. Do të paraqesim një video në të cilën shihet se ai është brenda, duke thyer lokalin krejt dhe ai shihet duke gjuajtur me shishe dhe gota në drejtim të këtyre”, tha avokati Latifaj.

Fjala është për dëshmitarët-të dëmtuarit G.J., dhe A,B., për të cilët kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi pyeti palët lidhur me propozimin për të lexuar deklartat e tyre, për shkak që nuk është arritur sigurimi i pranisë përmes Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Lidhur me këtë propozim, avokati Latifaj tha që dëgjimi i këtyre dëshmitarëve është i rëndësishëm, pasi që sipas tij deklaratat e tyre nuk janë në përputhshmëri me ato që më parë kanë deklaruar dëshmitarët e tjerë.

“Pas sigurimit të CD-ve nga një portal, kemi vërtetuar se krejt ato që i kanë deklaruar dëshmitarët – të dëmtuarit nuk përputhen me asnjë nga ato dëshmi dhe rrjedhimisht ne nuk kemi pasur mundësi që t’i pyesim ata lidhur me mospërputhjen e dëshmive të tyre me provat e tjera materiale. Pra, që ta sfidojmë besueshmërinë e tyre dhe paragjykimin lidhur me ato se çka kanë thënë”, tha Latifaj.

Ndërsa, prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, propozoi që dëshmitë e këtyre dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara. Për këtë, gjyqtari Krasniqi mori aktvendim me të cilin i konsideroi si të lexuara dëshmitë e tyre.

Gjatë kësaj seance, procedura vazhdoi me leximin e provave materiale, pasi që dëshmitarja A.S., e cila kishte mbetur në gjysmën e dhënies së dëshmisë së saj, nuk u paraqit në këtë seancë.

Në vazhdim, gjyqtari Krasniqi bëri të ditur se prokurorja speciale përmes një parashtrese kishte listuar provat materiale, listë kjo e cila u kërkua që të elaborohet nga mbrojtësi tjetër i Hoxhës, avokati Musa Konxheli.

“Ne si mbrojtje e të akuzuarit Dibran por edhe kolegët e tjerë, e shohim të udhës dhe të nevojshme që Prokuroria Speciale provat që i ka propozuar në aktakuzë t’i elaborojë një nga një para gjykatës, të tregojë se çka vërtetojnë këto prova dhe më pas ne do të deklarohemi lidhur me këto prova sepse kemi vërejtje në një mori të provave të propozuara e siç e cekëm do të deklarohemi pas elaborimit të Prokurorisë”, tha Konxheli.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Burim Mazreku, avokati Gent Gjini, tha që nga masat e përgjimit ndaj të pandehurve, është bërë edhe përgjimi i bisedave të mbrojtësve me klientët e tyre në qendrat e paraburgimit.

“Kemi vërejtje para se të bëhet lexim i provave. Në raportin e bërë nga Prokuroria, pra listës së këtyre provave materiale, kemi vërejtur se të akuzuarit në qendrat e tyre të paraburgimit janë përgjuar me rastin e vizitave nga vizitorët. Termi i përdorur “vizitorë” nënkupton edhe përgjimin e bisedave mes avokatit dhe klientit të tyre. Andaj, kërkojmë nga ana e trupit gjykues të na sigurohet i gjithë incizimi i vizitorëve dhe të shihet autenticiteti i këtyre incizimeve”, tha ai.

Lidhur me propozimet e mbrojtësve, trupi gjykues aprovoi propozimin e avokatit Konxheli, ndërsa refuzoi atë të avokatit Gjini.

“Aprovohet propozimi që Prokuroria t’i elaborojë provat në këtë seancë, ndërsa refuzohet propozimi i avokatit Gent Gjini që të sigurohen përgjimet në tërësi, për arsye se në shkresat e lëndës gjendet urdhri i gjyqtarit të procedurës paraprake me të cilin janë lëshuar masat e përgjimit ku subjekt kanë qenë të pandehurit dhe jo avokatët. Si dhe transkripti mbi bazën e të cilit është ngritur aktakuza nuk ka të bëjë me bisedat që kanë bërë avokatët me të mbrojturit e tyre”, tha gjyqtari Krasniqi.

Gjatë kësaj seance, u bë leximi i provave si dhe elaborimi i tyre nga ana e prokurores.

Gjithashtu, në këtë seancë, rreshteri Faton Morina dhe zyrtari policor Lirigzon Redenica, paraqitën foto të marra nga incizimet dhe skicat të cilat janë të paraqitura si prova në aktin akuzues në të cilat shiheshin pamje të të akuzuarit Hoxha duke hyrë dhe dalë nga lokali “Stock” dhe pamje ku pretendohet se i njëjti ka hipur në veturën e tipit “Q7”.

Sipas këtyre pamjeve, Prokuroria pretendon që kjo veturë në të cilin ka qenë edhe i pandehuri, ka shkuar në vendin ku prentendohet të ketë qenë edhe vendi i ngjarjes.

Lidhur me këto prova, kishte kundërshtime nga ana e mbrojtjes, ashtu që avokati Latifaj kërkoi që të shihen video-incizimet.

“Nga ajo që pamë në këto foto të prezantuara nga zyrtari policor, nuk u vërtetua asgjë sepse përpos fotografisë së Dibran Hoxhës duke hyrë në lokalin ‘Stock’, tjerat fotografi janë vetëm dyshime se mund të jetë vetura “Q7”, mund të jetë Dibrani në të por mund edhe mos të jetë, sepse nuk shihet asgjë. Ajo mund t’i shërbejë policisë për hetim të mëtejshëm, por për vërtetimin se në atë veturë është Dibran Hoxha dhe se në veturën tjetër janë shtetas të Shqipërisë, janë në fazën e hetimit, por jo më lart”, tha ai.

Për këtë, rreshteri Morina tha se për shkak se të njëjtat kanë minutazh të gjatë dhe prerja e tyre merr kohë, paraqitja e tyre gjatë kësaj seance është e pamundur.

Gjithashtu, gjatë kësaj seance, avokati Latifaj propozoi që pasi që të mbahet seanca e ardhshme, të bëhet edhe rikonstruimi i vendit të ngjarjes.

“Propozojmë që pas mbajtjes së seancës së ardhshme të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes. Lidhur me dy elemente: së pari vendi ku pretendohet në bazë të deklaratave të të dëmtuarve se ka ndodhur ngjarja dhe së dyti vendi ku janë gjetur gëzhojat dhe të shohim nëse ka pasur ndonjë kamerë përreth e cila ka mundur që të përfshijë vendin e ngjarjes”, tha ai.

Lidhur me këtë propozim dhe propozimet e tjera, gjyqtari Krasniqi tha se do të vendosë pasi që të njëjtat do të dorëzohen me parashtresë dhe pasi që të përfundojë dëgjimi i dëshmitares.

Lidhur me dëshmitaren A.S., gjyqtari njoftoi që për të njëjtën do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

Pasi që nuk kishte kushte për të vazhduar, seanca u ndërpre për të vazhduar në një datë tjetër.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C,  duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Më 13 maj 2024, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se Themelorja ua kishte konfirmuar të akuzuarve aktakuzën që mund ta lexoni të plotë duke klikuar KËTU./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.