26-11-2024

Reagime të drejtuesve të lartë për vrasjen e 35-vjeçares: “Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë”!

Drejtuesit më të lartë të Kosovës kanë reaguar mbrëmjne e sotme për vrasjen e 35-vjeçares në oborrin e maternitetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas vrasjes tragjike të 35-vjeçares, Hamide Magashi, e cila u qëllua për vdekje në oborrin e maternitetit në Kosovë nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, 31 vjeç, i cili është në kërkim nga Policia.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti e cilësoi vrasjen mizore, ndërsa tha se një akt i tillë është i papranueshëm dhe i padurueshëm.

“Dy engjëj në qiellin e pistë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër” shkruan Kurti në Facebook.

Postimi i plotë

Dy engjëj në qiellin e pistë

Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme.

Për ngjarjen ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani përmes një shkrimi në Facebook tha se ky rast është një tjetër krim makabër e njerëzor.

Postimi i plotë

Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.

Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës. Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!

Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë. Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal. Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!

Asnjë koment

Comments are closed.