Reagon Federata e Shëndetësisë Imeri:Jemi të pakënaqur me koeficientin, vendimin do ta marrim nesër
Qeveria e Kosovës sot ka bërë të ditur koeficientin e pagave për sektorin publik, i cili për vitin 2023 do të jetë 105 euro. Me koeficientin e caktuar, paga bruto e një mjeku specialist do të jetë 1260 euro. Ndërkaq paga e infermierëve do të jetë 588 euro.
E më këtë duket të mos jenë të kënaqur Federata Sindikale e Shëndetësisë, e cila ditë më parë kishte deklaruar se nuk pranojnë koeficient nën 120 euro.
Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë Tevide Imeri, ka thënë për “IndeksOnline” se vlera e koeficientit nuk është ajo të cilën e kanë pritur dhe se shumica e punëtorëve shëndetësorë nuk janë të kënaqur me koeficientin e caktuar.
“Tani për tani, s’mund të them as që e pranojmë as që e refuzojmë. Por ne e kemi prit një vlerë krejt tjetër. Por konsideroj që jo vetëm për mua, por për shumicën e përfaqësuesve sindikal dhe punëtorëve ky koeficient është i pakënaqur. Mirëpo vendimin do ta nxjerrim nesër pasi që Këshillit Drejtues i Federatës është ftuar nesër në ora 10, ku do të mbahet një Këshill i jashtëzakonshëm drejtues. Dhe aty do të nxjerrim një vendim, ku do të dihen qëndrime, do të ketë pajtueshmëri apo jo”, tha Imeri.
Imeri shprehet e zhgënjyer me koeficientin e caktuar nga Qeveria. Ndërsa thotë se është e sigurt që këtë koeficient nuk do ta pranojnë infermierët, tek të cilët rritja sipas saj nuk do të vërehet.
” Kemi pritur vlerën mbi 120 euro. Krejt jemi orientuar rreth kësaj 120 e sipër. Tash është pak një tronditje, por të shohim nesër çfarë vendimi do të ketë, ndoshta pajtohet këshilli drejtues. Ndoshta do të ketë kundërshtime. Nuk po dua të paragjykoj. Për mua personalisht është gogja zhgënjyes, sepse kemi pritur rritje më të madhe. Sidomos të infermierët absolutisht do të ketë pakënaqësi e garantoj, duke pasur parasysh inflacionit, ka rritje të pagave tepër pak apo fare. Te mjekët është pak më mirë, por jo ashtu siç është prit. Të shohim nesër nuk por dua t’i paragjykoj vendimet e këshillit drejtues”, tha ajo./IndeksOnline/