Reagon MASHTI për Udhëzimin Administrativ që ndalon shaminë: Çdo fëmijë do të jetë në shkollë
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave është duke i bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor 2022/2023 të nis sipas planit të paraparë.
Krahas investimeve për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, MASHTI është duke i trajtuar me kujdes aspektet ligjore dhe rregullimin e çështjeve të rëndësishme në mënyrën më të mirë të mundshme.
E drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, andaj konform përgjegjësive që kemi, do t’i përmbushim të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore.
Ministria e Arsimit do të angazhohet në avancimin e sistemit arsimor dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të favorshëm dhe mbështetës për të gjithë ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe cenuar.
Ju njoftojmë se tashmë jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor dhe presim që procesi mësimor të nis sipas planifikimeve.
Ju dëshirojmë pushime të mira dhe vit të mbarë shkollor!