26-11-2024

Reagon Nisma: Drejtoria e Arsimit në Prizren fillon regjistrimin e fëmijëve në çerdhen e sapondërtuar publike pa e përzgjedhur stafin

Një njoftim nga Komuna e Prizrenit për fillimin e regjistrimit të fëmijëve në çerdhen publike “11 Marsi”, ka nxitur reagimin e  Nismës Socialdemokrate.

Ndër tjera në reagimin e këtij subjekti politik thuhet se si është e mundur të fillojë regjistrimi pa përzgjedhjen parsprake të stafit.

Reagimi i plotë i Nismës Socialdemokrate:

“Gjatë ditës së sotme në faqen e Komunës së Prizrenit, DKA ka publikuar një njoftim ku i bënë thirrje fëmijëve (moshës 3-6 vjeçar) të regjistrohen në çerdhen e parë publike në lagjen “11 Marsi”, pranë shkollës fillore “Lekë Dukagjini”, në Prizren. Por ajo çfarë përbën skandal në vete është fakti se deri më tani nuk është hapur asnjë konkurs për menaxhmentin që do të udhëheqin këtë çerdhe dhe për stafin plotësues, si edukatorë dhe teknik. Pyetja që shtrohet është se kush janë personat e punësuar që do të regjistrojë fëmijët dhe me çfarë formule DKA ka përzgjedhur stafin?
Me siguri kanë zbuluar ndonjë formë avangardiste, siç kanë bërë deri më tani. Mesa duket qeverisja lokale e Mytaher Haskukës do të mbahet mend gjatë për zbulimin e formulave të punësimit në shkelje me ligjin.

Urgentisht kryetari i Komunës së Prizrenit duhet të na shpjegojë formulën sepse jemi duke folur për një shkelje të përmasave të mëdha. Dikush duhet me dhënë përgjegjësi për këtë. Ftojmë organet e drejtësisë që të hetojnë këtë rast”, thuhet në reagimin e Nismës në Prizren./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.