28-11-2024

Reagon presidentja për rastin e KlanKosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një deklarate të lëshuar për media, ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë për pezullim e licencës së televizionit Klan Kosova.

Osmani ka thënë se do dilemë ligjore lidhur me rastin e licencës së Klan Kosova duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Po ashtu në deklaratë, Osmani ka thënë se pret që një gjë e tillë të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje dhe bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit.

Deklarata e plotë:

Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës

Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social.

Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë.

Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës.

Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit.

Asnjë koment

Comments are closed.