Reflekton Albin Kurti, u del në mbrojtje edhe Hashim Thaçit e Kadri Veselit
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kërkuar bashkim për ta mbrojtur luftën çlirimtare si tërësi duke mos i ndarë në emra të veçantë. Ka thënë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Regjep Selimi nuk kanë bërë luftë kriminale dhe as nuk kanë pasur qëllim të kontrollojnë gjithçka në kohën e luftës. Ky është pozicioni i ri i ish-Kryeministrit Kurti në raport me dy ish-udhëheqësit e UÇK’së Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për të cilët qe 20 vjet lëshon akuza se kanë kryer vepra penale pasluftës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka folur për Gjykatën Speciale dhe paraqitjen e ish-krerëve të UÇK-së javën që lamë pas para gjykatësve të Speciales.
Ish-kryeministri Kurti, ka reflektuar në konferencë duke përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimin.
Këtu Kurti tha se UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe “të gjithë duhet ta mbrojmë atë”, u shpreh ai, transmeton Gazeta Express.
“Kemi folur gjerë e gjatë për Gjykatën Speciale në shtatë vitet e fundit dhe s’ka nevojë të përsërten këto, Kosova ka pasur vazhdimisht Gjykata Speciale…Kjo Gjykatë është e padrejt dhe e njëanshme në raport me luftën e UÇK-së”, tha tutje Kurti.
“Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup Kriminal përbrenda, apo siç e quajnë ata ndërmarrje kriminale. Prokuroria e ka gabim s’ka pasur strukturë paralele kriminale, lajmi për njëfarë NPK-je brenda UÇK-së nuk është i vërtetë”, tha më tej ai.
Kurti ka thënë se Qeveria duhet të mbrojë të gjithë të akuzuarit dhe të bashkërendojë procesin. Megjithëkëtë, ai ka thënë se kjo Qeveri është e paligjshme dhe e pafuqishme dhe vështirë se do të mund të bëjë ndonjë mbrojtje dinjitoze.
“Bashkërendim nga Shteti. UCK nuk ka qenë e asnjërit. Por e të gjithëve. Që të gjithë duhet ta mbrojmë atë. Kjo është edhe punë Qeverie. E sidomos punë Qeverie. Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit dhe mbrojtjes në këtë proces. Mbrojtja dhe përfaqësimi duhet të bashkërendohen e të sintetizohen”, ka thënë Kurti, në konferencën për media./Gazeta Express/