27-11-2024

Refuzimi i kandidaturave në degët e komunave-flasin aktivistët e LVV-së

Ramadan Beshiri, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit i është refuzuar kandidatura për kryetar të degës në Mitrovicë, ka thënë se pavarësisht kësaj, nuk do të dalë nga partia, por do të bëjë opozitë nga brenda.

Beshiri ka thënë se kandidatura i është refuzuar për shkak se sipas tij figura e tij nuk iu është përshtatur disave në Prishtinë.

Ai ka potencuar se nuk i janë dhënë arsye objektive për refuzimin e kandidaturës së tij.

“Dua të qëndroj nga brenda dhe të bëjë opozitë. Në një moment të caktuar eleminojnë kandidatë vetëm pse nuk përshtatemi disave në Prishtinë. Pardje në mëngjes, një vendim që më është kumtuar në formë verbale më është bërë i ditur se nuk jam certifikuar, duke mos më dhënë më shumë arsye”, ka deklaruar ai në “Debat Plus”

Për dallim nga Beshiri, Shkëlzen Bislimi nga Lipjani, ka njoftuar se nuk do të jetë më aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak të refuzimit që partia i ka bërë kandidaturës së tij për kryetar të degës në Komunën e Lipjanit.

Bislimi, është shprehur se e kanë ftuar në zyrat e LVV-së dhe zyrtarë të kësaj partie nuk e kanë lejuar as ta printojë e fotografojë arsyetimin e refuzimit.

Ai ka bërë të ditur se ka qenë aktivist i LVV-së, që nga viti 2016

“Jam prej 2016 në Lëvizjen Vetëvendosje, që gjashtë vjet, familjarët e mi kanë qenë mjaft aktivë për LVV-në në Lipjan. Më ftuan në zyrat e LVV-së, dhe më than se duhet të vij me pa arsyetimin e refuzimit të kandidimit. Nuk ma kanë dërgu në email as s’ma kanë printu dhe s’më lanë ta fotografoj. Thjesht më thanë ulu lexoe”, ka thënë ai.

Me dy parafolësit, nuk është pajtuar aktivisti i LVV-së, në komunën e Malishevës, Dardan Krasniqi. Ai ka thënë se aktivistët siç i ka quajtur ati “të vërtetë”, nuk duhet të dalin nga partia pavarësisht pengesave që mund t’i hasin aty brenda.

Krasniqi, është shprehur se nuk mund të ketë frymë të largimeve nga LVV-ja, sipas tij gjithmonë mund të ketë pakënaqësi, por këto duhet të tejkalohen.

LVV është rritë, njerëzit kanë ambicie, në këtë rritje jo secili mund të jetë kandidat, duhet ta sheh edhe rrugëtimin e lëvizjes. Mendoj që aktivisti i vërtetë, që në fillesa, misioni kryesor është që të jetë kritik aty ku LVV është e dobët në organizim në shtrirje, dhe jo të kulmon se mu mohua një kandidaturë dhe ta sheh fundin”, ka thënë ai.

“Nuk ndaj këtë vendim, aktivisti i vërtetë aty duhet të rrijë pavarësisht pengesave. LVV e ka hapësirën që t’i tejkalojë këto që po ndodhin, nuk shoh ndonjë frymë të largimeve, ka pakënaqësi, por këto nuk më shqetësojnë, sepse më shumë e shoh se kritika duhet të jetë se si lëvizja të vazhdojë tutje”, ka vijuar Krasniqi.

Asnjë koment

Comments are closed.