26-11-2024

Refuzohet dëgjimi i Haskukës si dëshmitar në gjykimin për korrupsion ndaj ish-drejtorëve të Prizrenit

Gjykata ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Fejzë Kabashi, Betim Kadolli, që të dëgjohet kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka në cilësinë e dëshmitarit.

Propozimi i tillë u refuzua nga kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në gjykimin ku i akuzuari Levent Kasemi, ish-drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fejzë Kabashi, si dhe ish-drejtori për Kadastër dhe Gjeodezi, Refik Shaqiri, po ngarkohen për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Për të njëjtën vepër penale po akuzohet edhe asamblistja në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Ganimete Barbuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokatit Betim Kadolli, gjykatësja Krusha ia aprovoi propozimin që në cilësinë e dëshmitares të dëgjohet Merita Godani, e cila ka qenë procesmbajtëse.

Po ashtu, u aprovuan propozimet e prokurorit Metush Biraj, për dëgjimin e dëshmitarëve Gursel Skenderi- punëtor në sektorin e pronave në Komunën e Prizrenit dhe Rahim Alija si dhe Adem Nazim Shabanaj, anëtarë dhe asamblist pranë KK- Prizren.

Ndryshe, në seancën e së mërkurës u dëgjua dëshmitari Isa Osmankaj, menaxher i zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, i cili tha se komisioni e ka pasur për detyrë ta përgatisë ankandin dhe kushtet e tij.

Seanca e radhës është caktuar më 23 dhe 24 nëntor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, ku theksohet se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuotuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25.20 euro për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim pre 20.06 euro për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.