23-11-2024

Regjistrimi i OJQ-së, i nevojshëm për hapjen e çerdhes në lagjen “11 Marsi” të Prizrenit

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur të martën se për funksionalizimin e çerdhes me bazë në komunitet në lagjen “11 Marsi” nevojitet regjistrimi i një organizate joqeveritare nga prindërit e fëmijëve të regjistruar.

Ai ka thënë se që nga muaji tetor janë në pritje të përgjigjes nga niveli qendror lidhur me regjistrimin e kësaj OJQ-je.

Madje gjatë një konference për media, Haskuka ka theksuar se ka kërkuar nga drejtoresha e Arsimit që të merret personalisht me këtë çështje, pasi deri më tani me të janë marrë grupi i prindërve dhe një zyrtar i DKA-së.

E opozita këtë qasje të Komunës po e konsideron joserioze dhe të papërgjegjshme.
Kryetari Haskuka ka shpjeguar sërish se si organet komunale fillimisht kanë kërkuar që në buxhetin komunal të hyjnë 30 kode buxhetore, për punësimin e stafit në këtë çerdhe dhe se kjo nuk është realizuar në dy vjetët e kaluar.

Sipas tij, pas kësaj, Komuna e Prizrenit e ka marrë modelin e çerdheve në komunitet, që është bërë në Komunën e Prishtinës, ku një nga kërkesat është edhe nevoja për regjistrimin e një organizate joqeveritare.

“Kemi marrë dokumentacionin e njëjtë, qysh e kanë bërë ata, vetëm e kemi përshtatur, e kemi bërë për Komunën e Prizrenit, me dallimet të cilat ne i kemi këtu. Një nga pikat ka qenë që kur bëhet me komunitet, krijohet një organizatë joqeveritare nga ana e prindërve, të cilët i kanë regjistruar fëmijët në çerdhe, që të bëhet bashkëpagesa e pagave të punëtorëve që kanë me punuar në çerdhe. Ata kanë shkuar ta regjistrojnë organizatën dhe që nga muaji tetor kemi problem me Ministrinë ose me drejtorinë përkatëse për regjistrimin e kësaj OJQ-je, për me hapë çerdhen në komunitet. Na kanë kërkuar disa dokumente shtesë, i kemi bërë, i kemi dërguar. Prej drejtoreshës së Arsimit kam kërkuar që ajo personalisht të merret me këtë dhe të kryhet kjo punë, sepse deri tani janë marrë grupi i prindërve dhe një zyrtar nga Drejtoria e Arsimit”, kishte sqaruar Haskuka ditë më parë.

Ai ka shtuar se në këtë çerdhe të gjitha janë gati, nga rekuizitat më të vogla deri te punonjësit, që janë në pritje për fillimin e punës.

“Prej tyre kërkoj edhe një herë falje për këtë problem që është shkaktuar. Shpresoj se në momentin që regjistrohet kjo OJQ, çerdhja do të fillojë të funksionojë”, është shprehur kreu i Komunës së Prizrenit.

Në anën tjetër, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, konsideron se qasja e Komunës së Prizrenit në këtë rast është joserioze dhe e papërgjegjshme, që dëshmon keqmenaxhimin.

“Është një element që e konfirmon atë që ne po insistojmë vazhdimisht se kemi një menaxhim të papërgjegjshëm të financave publike dhe për pasojë kemi edhe mosfunksionalizimin e çerdhes në lagjen ‘11 Marsi’”, ka thënë Totaj.

Sipas tij, zvarritja e funksionalizimit të çerdhes shkon në dëm të gjithë komunitetit.
“Kjo shkon në dëm të nxënësve, prindërve, por njëkohësisht edhe krejt komunitetit, për shkak se kemi të bëjmë me keqmenaxhimin e financave publike, ku faktikisht paratë publike nuk po shfrytëzohen në harmoni me destinimin që e kanë, pasi nuk kemi produkt final apo rezultat për të cilin ato mjete janë destinuar”, ka deklaruar Totaj.

Llogaridhënie nga Ekzekutivi i Prizrenit për këtë projekt në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Prizreni pati kërkuar kuvendarja e LDK-së, Sadije Osaj-Jakupi, duke përkujtuar se para disa muajve janë pranuar me konkurs të rregullt punonjësit në këtë çerdhe.

“Vendim kanë, por ende nuk kanë kontrata pune”, pati thënë ajo.

Komuna e Prizrenit në korrik të vitit 2020 pati paralajmëruar se kjo çerdhe do të nisë punën sipas modelit me bazë në komunitet, me fillimin e vitit shkollor në shtator. Asokohe kjo çështje pati nxitur debat. Opozita pati theksuar se investimet në këtë projekt kapital kanë nisur për çerdhe publike dhe se tani po del që bëhet fjalë për kopsht me bazë në komunitet, derisa ishte kundërshtuar edhe lartësia e pagesës.

Lidershipi komunal qe arsyetuar se orientimi i institucionit parashkollor me bazë në komunitet është bërë shkaku që MASH-i nuk e ka miratuar kërkesën për personel shtesë, gjë që, sipas tyre, do të mundësonte edhe pagesë më të ulët.
Në këtë çerdhe, sipas Komunës së Prizrenit, do të mund të regjistrohen 160 fëmijë të moshës 3 deri në 6 vjeç, përkatësisht 120 fëmijë në gjuhën shqipe, 20 në gjuhën boshnjake dhe 20 në gjuhën turke./koha.net

https://www.koha.net/arberi/255873/regjistrimi-i-ojq-se-i-nevojshem-per-hapjen-e-cerdhes-ne-lagjen-11-marsi-te-prizrenit/

 

Asnjë koment

Comments are closed.