Rekomandohet refuzimi i 16 aplikantëve për pjesëmarrje si viktima në rastin e Thaçit e të tjerëve
Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave (ZPV) i ka rekomanduar gjykatësit paraprak që të refuzojë pranimin e 16 aplikantëve për pjesëmarrje në cilësi të viktimave, në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po akuzohen për krime lufte.
Kjo u bë e ditur përmes raportit të katërt të ZPV-së, i cili është publikuar në faqen zyrtare të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aty thuhet se me këtë raport të katërt, ZPV transmeton 16 aplikime, të cilat i ka vlerësuar se janë formalisht të plota dhe për rrjedhojë të gatshme për shqyrtim nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Sipas raportit, pasi vendimi për ankesë është nxjerrë, ZPV i informoi aplikantët për arsyetimin në vendim dhe shpjegoi se si kjo ndikon në pranueshmërinë e kërkesave të tyre.
“ZPV i ftoi aplikantët që nëse kanë të paraqesin çdo informacion shtesë që posedonin që nuk e kishin ndarë ende. ZPV gjithashtu informoi aplikantët për mundësinë e tërheqjes së aplikacioneve të tyre. Gjashtë aplikantë deklaruan qartë se dëshironin të vazhdonin me aplikimet e tyre, ndërsa të tjerët nuk u përgjigjën”, thuhet në raportin e katërt të kësaj zyre.
Kjo zyrë ka vlerësuar se aplikantët nuk kanë demonstruar mjaftueshëm “prima facie”, se ngjarjet e përshkruara në kërkesat e tyre bien brenda materialit, parametrave gjeografike dhe kohore të akuzave të konfirmuara, siç përshkruhet në aktakuzën e konfirmuar të korrigjuar.
“Rrjedhimisht, ZPV i rekomandon gjyqtarit të procedurës paraprake që të refuzojë të gjitha kërkesat për pjesëmarrje si viktima në procedurat e paraqitura me këtë Raport të Katërt”, thuhet në këtë shkresë.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.