Rektorati paralajmëron masa ndaj Profesorit të Filologjisë
Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka dalë me një deklaratë pas raportimeve për profesorin e Fakultetit Filologjik, Bekim Bejta, për të cilin u raportua se ka kërcënuar studentët dhe kolegët e tij.
UP ka thënë se distancohet nga çdo sjellje joakademike e profesorit në fjalë, derisa ka paralajmëruar edhe masa ndaj tij.
Ndryshe, mediat kanë raportuar se Bejta i ka kërcënuar me hakmarrje përmes Kanunit, studentet të cilat e raportuan atë për ushtrim të dhunës psikologjike ndaj tyre e përdorim të gjuhës denigruese në ambientet akademike.
Reagimi i plotë i Rektoratit:
Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, ka përcjellur me shqetësim raportimet e fundit mediale të ndërlidhura me sjelljet e profesorit të Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta.
Në dritën e pretendimeve të paraqitura në publik, por edhe denoncimeve të shumëfishta kundër profesor Bejtës në Këshillin e Etikës për sjelljet e tij joakademike dhe vendimeve të këtij këshilli, menaxhmenti i UP-së shpreh shqetësimin dhe papajtueshmërinë për sjelljet e vazhdueshme dhe recidiviste të tij me studentët dhe kolegët në Fakultetin e Filologjisë. Prandaj, UP, distancohet nga një diskurs me përmbajtje të tillë si dhe nga çdo sjellje joakademike e profesorit në fjalë. Me këtë rast, menaxhmenti i UP-së, shpreh përkushtimin e palëkundur për të garantuar zbatueshmërinë e Kodit të Etikës në të gjithë mjedisin mësimor akademik. Në këtë drejtim, UP është duke e shqyrtuar me urgjencë rastin dhe do të ndërmarrë inicimin e masave adekuate që janë në dispozicion dhe në kompetencë brenda universitetit, pa paragjykim ndaj procedurave jashtë institucionit që mund të zhvillohen nga autoritetet kompetente.
Sjellja akademike dhe profesionale, e secilit mësimdhënës, si dhe zbatimi i pakompromis i Kodit të Etikës dhe rregullave në fuqi, përbëjnë një prej shtyllave themelore në parimet e angazhimit në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Derisa ne po punojmë për një zgjidhje të shpejtë të këtij rasti individual, që nuk është menaxhuar për vite të tëra, ne do të adresojmë secilën kërkesë të studentëve të lidhur me këtë ose raste të tjera të mundshme me të gjithë kujdesin e duhur, përfshirë ofrimin e mundësisë për t’u pyetur në komision. Mbi të gjitha, ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin e thellë dhe përpjekjet tona më të sinqerta për zgjidhje inovative, lehtësi dhe mundësi më të mëdha për studentët tanë, aktual dhe të ardhshëm, përfshirë hapat e ndërmarrë tashmë për rritjen e shumës së bursave, të shumës së pagesës për praktikën, të krijimit të modulit për konsultimet online profesorë – studentë, ofrimit për herë të parë të bursave për studentët e studimeve të nivelit master dhe atij doktoral, për rritjen e mundësive të shkëmbimeve dhe të përvojave ndërkombëtare, si dhe të modernizimit të pajisjeve, laboratorëve dhe kushteve mësimore.
Universiteti i Prishtinës duhet dhe do të jetë institucion i dijes, dhe rrjedhimisht vend ku krahas formimit profesional e intelektual, punohet e mësohet në një mjedis ku respektohen rregullat dhe normat e Kodit të Etikës akademike dhe profesionale, morale dhe njerëzore. UP do të mbetet mjedis i sigurt i formimit akademik, shkencor e profesional për studentët, të cilët janë edhe arsyeja kryesore e ekzistimit të universitetit.