Republika Srpska po pengon marrëdhëniet midis Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës
Marrëdhëniet ndërshtetërore midis Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës janë bllokuar për shkak të qëndrimit të Republikës Srpska-s (RS). Sipas raportimeve të Sarajevo Times, bllokada e RS-së po pengon përparimin e proceseve ekonomike dhe diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Prej rreth dhjetë muajsh, qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës mund të hyjnë në Kosovë vetëm me karta identiteti. Megjithatë, pavarësisht marrëveshjeve rajonale të bashkëpunimit të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, Bosnjë-Hercegovina ende nuk e ka zbatuar parimin e reciprocitetit.
Bosnjë-Hercegovina mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka ratifikuar marrëveshjen për njohjen e dokumenteve personale. Arsyeja kryesore për këtë konsiderohet qëndrimi pengues i Kuvendit Kombëtar të Republikës Srpska-s (NARS).
Kosova, nga ana e saj, ka dhënë një përgjigje diplomatike duke filluar nga 1 janari njohjen e dokumenteve të Bosnjë-Hercegovinës.
Drejtori i Institutit për Kërkime dhe Zhvillim Politik në Kosovë, Lulzim Peci, e përshkruan qasjen e RS-së si “politikë nacionaliste të brendshme dhe përpjekje për të sabotuar marrëdhëniet rajonale”. Peci deklaroi: “Bosnjë-Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat për BE, por politika e RS-së bie ndesh me këtë status.”
Në të njëjtën linjë, drejtori i Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit, Zijad Beçiroviç, theksoi se regjimi i vizave i vendosur nga RS-ja është i pakuptimtë edhe ekonomikisht, duke shtuar: “Nga 54 kompani që eksportojnë në Kosovë, 50 janë me origjinë nga RS-ja.”
Drejtori i Qendrës për Kërkime Gjeopolitike, Admir Lisica, nënvizoi se Bosnjë-Hercegovina është nën presionin e RS-së: “BeH nuk mund t’i zhvillojë lirshëm marrëdhëniet me Kosovën. Ndërkohë, Serbia dhe Kosova kanë hyrë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.”
Ekspertët theksojnë se ky qëndrim i RS-së jo vetëm që dëmton marrëdhëniet me Kosovën, por edhe funksionimin e përgjithshëm dhe reputacionin ndërkombëtar të Bosnjë-Hercegovinës.
Sipas Beçiroviçit, për sa kohë që Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh Kosovën, proceset politike, ekonomike dhe diplomatike do të mbeten të bllokuara. “E vërteta është se ky qëndrim as nuk mund të ndryshojë kufijtë, as nuk i sjell dobi rajonit. Humbësit e vetëm janë qytetarët,” tha ai. / RTK