Rexhep Qosja: Abdyl Kadolli ishte intelektual që jetonte ngadalë
Akademik Rexhep Qosja, disa ditë pas ndarjes nga jeta, e ka kujtuar shkrimtarin dhe intelektualin Abdyl Kadolli.
“Abdyl Kadolli ishte intelektual që jetonte ngadalë. Dhe kjo ngadalësi jetësore i bënte të mundshme ta njihte më mirë e më thellësisht njëmendësinë shoqërore, politike, kulturore, kombëtare në përgjithësi. Dhe kjo ngadalësi jetësore i bënte të mundshme që të gjitha punët me të cilat merrej t’i bënte e t’i kryente më mirë e më sigurt e më vlefshëm se gjithë ata që jetojnë e punojnë nxitueshëm”, ka shkruar Qosja.
Abdyl Kadolli i lindur në Bukosh të Therandës, ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare.
Postimi i Qosjes në Facebook:
Të enjten, më 18 prill, djali, vëllau, babai, miku, shoku, shkrimtari, publicisti, kritiku letrar, eseisti, kryeredaktori, redaktori, botuesi, u përcoll në kujtimoren historike shqiptare. Kam pasur fatin e kam pasur nderin gjatë disa dhjetëra viteve të bashkëpunoj me te dhe ashtu më është dhënë rasti që ta njoh më mirë e më thellësisht natyrën e tij të pasur me shumë e shumë virtyte.
Abdyl Kadolli ishte intelektual që jetonte ngadalë. Dhe kjo ngadalësi jetësore i bënte të mundshme ta njihte më mirë e më thellësisht njëmendësinë shoqërore, politike, kulturore, kombëtare në përgjithësi. Dhe kjo ngadalësi jetësore i bënte të mundshme që të gjitha punët me të cilat merrej t’i bënte e t’i kryente më mirë e më sigurtë e më vlefshëm se gjithë ata që jetojnë e punojnë nxitueshëm.
Abdyl Kadolli ishte intelektual me përgjegjshmëri gjithnjë të zgjuar, gjithnjë të përkushtuar ndaj gjithë atyre me të cilët punonte e bashkëpunonte dhe ndaj të gjitha punëve që bënte. Kjo përgjegjshmëri, kjo dhuratë e madhe natyrore e tij, e kishte bërë shumë të përkushtuar ndaj të drejtës, shumë të përkushtuar ndaj të vërtetës, shumë të përkushtuar ndaj të gjitha vlerave që jetës i japin kuptim.
Abdyl Kadolli ishte intelektual i dhuruar me cilësinë në kohën tonë gjithnjë e më të rrallë: me modestinë. Ai nuk e quante të arsyeshme askund e asnjëherë të mburrej me punën e tij, të mburrej me shkrimet e tij, të mburrej me veprat e tij që shquheshin me origjinalitet të veçantë.
Unë, miku i tij shumëvjeçar, i theksova vetëm tri-katër virtyte të tij i vetëdijshëm se ai ishte sintezë e shumë virtyteve, e shumë vlerave, e shumë të mirave të cilat prej fillimeve të veprimtarisë së tij intelektuale i kishte vënë në shërbim të një qëllimi madhor – të lirisë së Kosovës dhe të bashkimit të saj të ardhshëm me Nënën Shqipëri.
Abdyl Kadolli na la, por Abdyl Kadollin nuk do ta lëmë ne: ai do të jetë përgjithmonë si njeri, si intelektual, në jetën, në punën e në mendimin e të cilit ishin bashkuar shumë virtyte e vlera që e bëjnë të kuptimshme jetën tonë.