Rezultatet e testit “PISA 2022“, ORCA: Analfabetizmi në rritje, shpresojmë që rezultatet e këndellin kryeministrin
Ministria e Arsimit ka publikuar rezultatet e testit “Pisa 2022”. Edhe kësaj radhe, Kosova nuk ka marr ndonjë rezultat të mirë, pasi që ka pësuar rënie në rangim dhe përformancë.
“Katastrofë arsimore në Kosovë, analfabetizmi në rritje. Me shqetësim të madh, por të pabafesuar pranuam rezultatet e PISA 2022 të cilat u publikuan para 1 ore në Paris nga OECD. Kosova ka shënuar rënie si nga rangimi ashtu edhe në performancë. Në vitin 2018 morën pjesë 74 vende dhe Kosova renditej e 72-ta ku 66% e nxënësve shënonin performancë të dobët, ndërkaq në vitin 2022 morën pjesë 80 vende dhe Kosova renditet e 79-ta pra e parafundit, ku 72.9% të nxënësve shënuan performancë të dobët”, thuhet në reagimin e ORCA-s.
Në reagimin e tyre po ashtu thuhet se analfabetizmi funksional fatkeqësisht është rritur.
“Analfabetizmi funksional është rritur fatkeqësisht, numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022. Në matematikë kriza është thelluar, nxënësit kosovarë që kanë performuar nën nivel janë rritur nga 76% sa ishin në vitin 2018, në 85% në vitin 2022. Ndërsa në shkencë nga 76% në vitin 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në vitin 2022”, thuhet në reagim.
ORCA shpreson që këto rezultate do ta këndellin kryeministrin Albin Kurti, për të bërë reforma radikale në arsim.
“ORCA shpreson që këto rezultate ta këndellin Kryeministrin e Republikës dhe Qeverinë e tij, ndonëse nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë pasë parasysh orientimin e Qeverisë, e cila nuk konsiston në reforma radikale, por vetëm në fasadë që në ditë si kjo shembet para syve tanë”, thuhet në reagim.