25-11-2024

Riatdhesohen 50 shqiptarë nga Franca, s’ka më azil

Gjatë 24 orëve të fundit janë riatdhesuar në aeroportin “Nënë Tereza”, rreth 50 shtetas shqiptarë, të cilët kanë shkelur rregullat e lëvizjes në zonën “Shengen” apo u është refuzuar kërkesa për azil në Francë. Operacionet e riatdhesimit janë organizuar në koordinim mes dy vendeve.

Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda deklaroi se qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së, për shkak se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt.

“Ministria e Brendshme e Shqipërisë është duke komunikuar me ministritë homologe të vendeve si Franca apo vende të tjera, për të rishikuar procedurat e dhënies së azilit në këto vende, me qëllim shkurtimin e kohës së procedurave, por edhe mënyrën se si do të trajtohen shtetasit shqiptarë, që vijnë nga një vend i sigurt”, tha ajo.

Kështu që, sipas saj, udhëtimi në këto vende me qëllimin për të kërkuar azil, jo vetëm që është një kosto e madhe për qytetarët shqiptarë, por është një hap i gabuar, është një hap që kushton. Ata jo vetëm shpenzojnë, por do t’i kufizojë këta shtetas edhe në udhëtime të tjera drejt vendeve të BE-së.

“Unë dëshiroj të kujtoj që Shqipëria është një vend i sigurt, pra është në listën e vendeve të sigurta dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së”, theksoi Voda./atsh

Asnjë koment

Comments are closed.