24-11-2024

Richard Grenell: Në Uashington do të flasim vetëm për ekonomi, BE-ja t’i heqë vizat për Kosovën

Emisari amerikan, Richard Grenell, ka qenë i prerë. Në këtë fazë, që ai e quan faza e parë, duhet të arrihet normalizimi i raporteve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai për një gjë të tillë thotë se i ka informuar edhe francezët dhe gjermanët. Pastaj, faza tjetër, ajo politike, sipas Grenellit, duhet të udhëhiqet prej evropianëve.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, emisari i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, e ka hedhur një kofë me ujë ftohtë mbi gjakrat e nxehura se me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë (që dikush e vizaton edhe me ngjyra të tjera) do të nxirren hartat dhe thikat për të prerë hartën e Kosovës, ose për të prerë çkado tjetër.

“Ka shumë zhurmë atje, njerëzit që nuk dinë, por që pretendojnë që dinë, po e hutojnë publikun”, ka thënë Grenell, lidhur me pretendimet se në Shtëpi të Bardhë do të diskutohet për tema të rënda politika. Ai i ka porositur njerëzit në Kosovë, në Serbi dhe në Evropë që t’i dëgjojnë vetëm ata që janë kompetentë për këtë temë, e jo spekuluesit.

“Nuk e di sa herë duhet ta them, edhe pse kam qenë jashtëzakonisht i qartë, që ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi të bindur që konflikti 20-vjeçar në mes të Kosovës dhe Serbisë, mund të zgjidhet vetëm përmes normalizimit ekonomik”, ka thënë ai.

Sipas përfaqësuesit të lartë amerikan, kjo do të duhej të ishte faza e parë e dialogut në mes të Kosovës dhe të Serbisë. Ai ka thënë që në fazën tjetër, në hapin e dytë, evropianët do ta udhëheqin procesin. Mirëpo kjo gjë, sipas tij, duhet të ndodhë vetëm kur të fillojnë të vijnë efektet e para të ekonomisë. Grenell ka insistuar që të kërkojë prej evropianëve që të fillojnë t’i liberalizojnë vizat për Kosovën, sepse, sipas tij, pa liberalizim të vizave nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

Asnjë koment

Comments are closed.