Rifillojnë fluturimet nga Kukësi drejt Zvicrës
Flamurmbajtësja shqiptare nis fluturimet drejt Bazelit dhe Zyrihut nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Flatrat e Veriut”.
Shtimi i destinacioneve të reja është pjesë e planeve afatgjata të Air Albania për të pasur një hartë gjithnjë e në zgjerim të qiejve ku flamuri shqiptar është i pranishëm, raporton Top Channel. Fluturimet drejt Zvicrës filluan më 9 prill dhe në inagurimin e tyre në Bazel ishte i pranishëm CEO i Air Albania Z.Sinan Dilek, i cili shpeshherë kujdeset personalisht në promovimin e flamurmbajtëses dhe të Shqipërisë.
Të pranishëm në inaugurim ishin gjithashtu; ambasadori i RSH në Zvicër Z.Ilir Gjoni, Drejtori i aeroportit të Kukësit Z.Ridgers Mema dhe përfaqësues të lartë të aeroportit të Bazelit.
Aeroporti i Bazelit, “EuroAirport” organizoi pritjen për 128 pasagjerët e parë duke shënuar kështu edhe një tjetër sukses për Air Albania, pasi fluturimi u shit në kapacitetin e tij të plotë.
Këto fluturime janë një tjetër shembull sesi kjo kompani qëndron pranë shqiptarëve kudo ku ata ndodhen, duke ofruar shërbime ekselence në çmime tepër ekonomike.