Rigjykimi: Prokurori tërhiqet nga njëra pikë e aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Prizren
Bashkë me të, për herë të tretë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, po gjykohen edhe Bekim Thaqi dhe Bedri Çeku.
Ata akuzohen se në periudhën kohore prej 2008-2012, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë realizimit të manifestimit tradicional “Remzi Ademaj”, në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E në pikën e dytë të aktakuzës, për të cilën prokurori Sefa, është tërhequr nga ndjekja penale për shkak të parashkrimit absolut, Çoçaj akuzohej se si person zyrtar kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare gjatë periudhës kohore maj-qershor 2009.
“Meqë kjo vepër është e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vite, atëherë në kuptim të nenit 107 paragraf 8, në mënyrë decidive theksohet se ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit”, ka deklaruar prokurori Sefa, në seancën e së premtes.
Sipas tij, pasi nga kjo periudhë kanë kaluar 10 vjet, ka ardhur deri te parashkrimi absolut, i veprës penale, duke shtuar se do të vazhdojë gjykimi sa i përket dispozitivit të tretë, katërt e pestë të aktakuzës.
Më pas, kjo seancë, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve Arbër Rexhaj e Zenel Ahmetaj.
Duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Sefa, dëshmitari Rexha ka deklaruar se qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë, dhe se ky rast është shumë i vjetër dhe nuk ka çfarë të shtojë më shumë.
Edhe dëshmitari, Zenel Ahmetaj, ka deklaruar se qëndron pranë deklarimeve të mëhershme të tij.
Duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit Nexhat Çoçaj, dëshmitari Ahmetaj, ka deklaruar se auditori i jashtëm nuk ka gjetur shkelje në rastin e manifestimit “Java e Remzi Ademaj”.
“Nuk ka pasur shkelje gjatë atyre viteve në pasqyrat financiare, auditori i jashtëm nuk ka gjetur kurrëfarë vërejtje lidhur me manifestimin e lartcekur”, ka thënë dëshmitari.
Sipas dëshmitarit, deri në vitin 2013, komuna nuk ka pasur rregullore për dhënien e subvencioneve nëpërmjet procedurës së tenderimit.
“Pasi që në atë kohë unë kam qenë zyrtar kryesor financiar, nuk kemi pas raste që subvencionet të shkojnë nëpërmjet procedurës së tenderimit. Në atë kohë, nuk kemi pas rregullore në lidhje me shpërndarjen e subvencioneve. Përveç, në prill të vitit 2013, komuna ka aprovuar një rregullore ku janë paraparë edhe kriteret që duhet të plotësohen për dhënien e subvencioneve”, ka thënë dëshmitari Ahmetaj.
Në këtë seancë, ishin paraparë të dëgjohen edhe dëshmitarët Visar Islamaj, Dashamir Susuri, Mehmet Shala, Alidin Flugaj dhe Isa Osmankaj.
Mirëpo, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka deklaruar se nuk ka prova që janë ftuar në mënyrë të rregullt.
Në mungesë të këtyre dëshmitarëve, trupi gjykues ka ndërprerë seancën e së premtes.
Kurse, seanca e ardhshme në këtë rast, pritet të mbahet më 20 dhjetor, me fillim nga ora 10:00.
Në qershor të vitit 2016, i akuzuari Çoçaj ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, Thaqi ishte dënuar me një vit e dy muaj burgim, ndërsa Çeku ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.
Më 27 shtator 2016, Apeli kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe kishte kthyer lëndën në shkallën e parë për rivendosje.
Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet.
Kjo gjykatë, gjithashtu kishte kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunalë.
Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prizren, më 19 nëntor 2018, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut.
E më pas, më 15 gusht 2019, Apeli kishte aprovuar kërkesën e prokurorisë dhe kishte kthyer lëndën në rigjykim për të dytën herë.
Gjykata e Apelit, kishte kërkuar që në rigjykim, gjykata t’i administrojë edhe njëherë të gjitha provat në këtë çështje penale dhe të bëjë vlerësimin e provave të administruara.
Gjithashtu, gjykata e shkallës së dytë, kishte kërkuar që të dëgjohet edhe njëherë përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, lidhur me faktin se sa ka qenë dëmi në këtë rast.
Apeli kishte kërkuar që edhe njëherë të dëgjohen ekspertët që kanë bërë super ekspertizën në këtë rast.
Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës. /BetimipërDrejtësi