23-11-2024

Rihapet gjykimi për vrasjen në Ratkoc të Rahovecit

Gjykata Themelore e Gjakovës nuk e ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit për vrasje në Ratkoc të Rahovecit, Feriz Hoti.

Kjo pasi është gjetur dëshmitari i arratisur më parë nga burgu.

Natën e 17 Majit 2017, dëshmitari Muhamet Kiqmari nga Podujeva, bashkë me Evan Poterën, Liridon Sylejmanin dhe Hamdi Jusufi, kishin dalë me makinë me qëllim që të vjedhin një market.

Kiqmari tha se ‘në fillim kemi parë një shtëpi 6-7 metra larg marketit ku ka qenë e ndezur një dritë në katin e dytë, mirëpo kur i jemi afruar marketit dritën e ndezur nuk e kemi parë më”.

“Unë kam tentuar ta hap derën e marketit me një mjet, ndërsa Evani me dana, duke u munduar që ta këput zingjirin e dryrit të marketit dhe ndërsa Liridoni ka pritur në makinë. Pastaj dikush ka gjuajtur me armë 2-3 herë dhe ne kemi filluar të ikim”, ka treguar dëshmitari Kiqmari.

“Hamdiun e kam parë vetëm që është rrëzuar, mirëpo nuk na ka shkuar mendja që e ka kapur plumbi. Mirëpo të nesërmen e kemi kuptuar që ka vdekur”, tha dëshmitari.

Avokati i të akuzuarit Sefer Morina, e pyeti dëshmitarin se “atë natë a e keni parë personin që ka gjuajtur me armë?”

“Jo, as nuk e kam parë sepse kam ikur”, u përgjigj dëshmitari.

Prokuroria pretendon se Feriz Hoti ka kryer vjrasjen e Hamdi Jusufit natën e 17 majit 2017 në Ratkoc të Rahovecit, kur ka qëlluar drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në seancën e kaluar, i akuzuari Feriz Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.

“Kërkoj nga Gjykata që të më lirojë nga aktakuza. Shpreh keqardhje për të dëmtuarën Nazife Jusufi, mirëpo unë jam i pafajshëm dhe se në burg po qëndroj qe 15 muaj pa faj”, kishte thënë i akuzuari Hoti./kallxo.com

Asnjë koment

Comments are closed.