Risi në Instagram: Përdoruesit tashmë mund t’i editojnë komentet, por ja brenda sa minutash
Meta u jep përdoruesve mundësinë të redaktojnë komentet në Instagram që i lënë në postime, por vetëm brenda 15 minutave pas publikimit.
Kjo risi është e ngjashme me mënyrën se si aplikacioni trajton redaktimin e mesazheve, një opsion që u prezantua në vitin 2024, 11 vjet pasi u mundësua dërgimi i mesazheve direkte në Instagram (në vitin 2013).

Përdoruesit tani mund të redaktojnë vetëm komentet që kanë lënë nga llogaria e tyre, dhe procesi është i thjeshtë.
Mjafton të preket butoni “Edit” nën komentin e vet për t’u hapur një kuti teksti, ku mund të ndryshohet, rishkruhet ose editohet ajo që është shkruar, dhe më pas të shtypet shenja blu e “tik”-ut për të ruajtur ndryshimet.

Nga Meta thonë se komentet mund të redaktohen sa herë të dëshirohet brenda atij afati 15-minutësh, kështu që nëse nevojiten më shumë ndryshime, opsioni ekziston.
![]()
Komentet mund të shfaqen në mënyra të ndryshme në Instagram, përfshirë edhe në Stories që nga viti 2024, prandaj kjo mundësi për redaktim është një shtesë e mirëpritur.
Opsioni i ri është vetëm i fundit në një seri ndryshimesh që Meta ka sjellë në aplikacionin e saj social gjatë muajit të fundit.
Më herët në mars, kompania njoftoi se po heq enkriptimin “end-to-end” nga mesazhet direkte në Instagram. Në fund të muajit, Meta gjithashtu filloi testimin e Instagram Plus, një shërbim abonimi që zhbllokon mundësi të reja për funksionin Stories në aplikacion.


