Prizrenit i shtohet edhe një kuadër i çmuar – Prof. Lamir Shkurti gradohet Doktor i Shkencave Kompjuterike
Prizrenit tashmë iu shtua edhe një kuadër i rëndësishëm. Profesori Lamir Shkurti ka arritur një sukses të shquar akademik duke mbrojtur me sukses tezën e doktoraturës dhe duke fituar titullin “Doktor i Shkencave Kompjuterike”. Kjo arritje përfaqëson jo vetëm një moment kulmor në karrierën e tij profesionale, por edhe një burim krenarie për gjithë komunitetin arsimor të Prizrenit dhe më gjerë, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Prof. Shkurti është studiues në Institutin Max van der Stoel dhe doktorant në South East European University ( Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore).
Teza e tij e doktoraturës, me titull “Të mësuarit e federuar përshtatës për pajisje me burime të kufizuara”, trajton një temë aktuale dhe sfiduese në fushën e inteligjencës artificiale, duke sjellë një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e algoritmeve efikase në mjedise me kapacitete të kufizuara teknologjike.
Referuar deklarimit nga fakulteti, gjatë katër viteve të fundit, ai ka qenë një kontribues aktiv në kërkimet shkencore të zhvilluara në MVDSI, duke punuar nën mentorimin e Prof. Dr. Mennan Selimit. Kërkimi i tij reflekton përkushtim të lartë, pasion për dijen dhe kapacitet të theksuar analitik.
Përveç angazhimeve në kërkimin shkencor, Prof. Shkurti është një figurë e njohur në arsimin e mesëm të lartë, si profesor në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, ku për vite me radhë, dha kontribut të çmuar në edukimin dhe orientimin e gjeneratave të reja drejt shkencës dhe teknologjisë. Marrja e këtij titulli akademik është një vlerë e shtuar për arsimin në nivel lokal dhe një shembull frymëzues për të rinjtë që synojnë rrugën akademike.