Romët e Prizrenit tregojnë talentin edhe për këngët e komuniteteve të këtushme (FOTO)
Në kontekstin e shënimit të 8 prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në Prizren dje pasdite është shfaqur një program kulturor-artistik, të cilin e kanë përcjellë pjesëtarë të të gjitha komuniteteve të këtushme, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Pjesë e projektit “Kultura dhe këngët jetojnë çdo herë”, ishte një program i pasur me këngë të zgjedhura nga okteti “Kujtim Paqaku”, nën dirigjimin e prof. Fikrim Emrës.
Interpretimi përfshinte edhe këngë të lehta shqipe, boshnjake dhe turke, ndërsa kjo kishte për qëllim të dëshmojë se romët nuk dinë të këndojnë vetëm këngë “tallave”.
Në programin e moderuar në pesë gjuhë, përfshirë edhe anglishten, ka pasur edhe recitime artistike. Ky aktivitet është mbajtur në kino “Lumbardhi” ndërsa pjesëmarrës kanë qenë rreth 200 shikues nga komunitete të ndryshme të Prizrenit.
Projekti “Kultura dhe këngët jetojnë çdo herë”, është mundësuar nga UNMIK dhe realizuar nga OJQ “Durmish Aslano “në partneritet me OJQ “Romani Baxt” .
Nesër (të dielën) shfaqet drama “Na ishte se ç’na ishte një Kujtim Paçak” me temë që trajtohet me anë të fragmenteve nga jeta e tij. /GazetaePrizrenit.net/