Rrahje për pronë në Dragash
Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkarkojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, të cilat shpesh edhe eskalojnë në kërcënime serioze.
Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në fshatin Shajne të Dragashit, për çka dy persona janë futur në sherr me Policinë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy bashkëfshatarë janë rrahur, për shkak të një prone, që u bë mollë sherri mes tyre dhe kaloi në përleshje.
Sipas informacioneve të para, mes dy palëve fillimisht ka nisur një zënkë, ku i dyshuari e ka akuzuar viktimën se ia ka dëmtuar pronën. Për shkak se të njëjtit s’janë marrë vesh, kanë sulmuar njëri-tjetrin, duke pësuar edhe lëndime.
Përballë kësaj situate, njëri nga të dyshuarit ka vendosur ta denoncojë atë që ka ndodhur, me ç’rast dy palët kanë dhënë deklaratë para hetuesve, ku kanë përshkruar në detaje gjithë problemin mes tyre.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve për veprën penale “Kanosje”.