15-04-2025

Rrëfimi i ish-diplomates: Si një shishe verë nga Rahoveci shkaktoi “përplasje diplomatike” mes Japonisë dhe Rusisë në Këshillin e Sigurimit

Një shishe vere nga Rahoveci ishte bërë molle sherri në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2016 – dhe e gjithë kjo nisi si një gjest mikpritjeje nga Teuta Sahatqija, ish-konsullja e Kosovës në New York.

Në një rrëfim për TV Dukagjini, Sahatqija ka treguar një ngjarje sa interesante, aq edhe simbolike, që ndodhi gjatë mandatit të saj diplomatik në SHBA, kur Japonia ishte anëtare jopermanente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ajo kujton një darkë me ambasadorin japonez të asaj kohe, Yoshifumi Okamura, ku si dhuratë i kishte ofruar një shishe vere nga Rahoveci – një dhuratë që më vonë do të merrte vëmendje ndërkombëtare.

“E pata një shishe të vënës. Ia dhashë qatë shishe! Po aq shumë i kish pas bo përshtypje ky gjest ambasadorit sa që në një seancë të Këshillit të Sigurimit, ambasadori japonez nisi diskutimin ndryshe. Tha: ‘Në nëntor të 1999 kam qenë në Rahovec, pas luftës, kur gjithçka ishte e djegur, por aty takova një njeri që më tha: kjo është toka e stërgjyshërve të mi dhe ne do ta rindërtojmë, do ta mbjellim përsëri”.

Në atë moment, ambasadori japonez kishte nxjerrë nga çanta shishen e verës dhuruar nga Sahatqija, duke lexuar etiketën dhe e përshkroi si një “tregim suksesi i Kosovës” – si një vend që nuk është më i djegur, por një vend i shpresës dhe punës.

Por momenti kulminant erdhi kur ambasadori i Rusisë kundërshtoi ashpër praninë e shishes në tavolinën e Këshillit të Sigurimit, duke kërkuar largimin e saj, duke pretenduar se ishte shkelje e rregullave.

“Ne u ngrimë çka është duke ndodhë!”, kujton Sahatqija.

Ambasadori japonez e pa i qetë, pa emocione, dhe tha: ‘Para se të vij këtu, i kam lexuar të gjitha rregullat dhe askund nuk përmendet ndalesa për shishe vere. Prandaj kjo do të qëndrojë këtu’”.

Dhe ashtu ndodhi – për herë të parë në historinë 75-vjeçare të Këshillit të Sigurimit, një shishe vere qëndroi në tryezën e Kombeve të Bashkuara.

“Kjo ishte reklama më e mirë për Kosovën”, thotë Sahatqija.

Asnjë koment

Comments are closed.