Rreth 2 mijë raste me kancer gjatë vitit 2025, rritje e rasteve te moshat 30-50 vjeç
Viti 2025 për Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është karakterizuar nga sfida të mëdha, por edhe nga përmirësime të rëndësishme në shërbime dhe infrastrukturë.
Drejtori i Klinikës, Ilir Kurtishi, ka bërë të ditur se numri i rasteve të reja me sëmundje malinje ka mbetur i njëjtë me vitin paraprak, rreth 2 mijë e 100 pacientë, çka sipas tij përbën një shenjë pozitive. Megjithatë, shqetësuese mbetet rritja e rasteve te moshat 30–50 vjeç.
“Ka qenë një vit me plot sfida, një vit të cilin Klinika e Onkologjisë e ka përmbyllur me sukses, me trajtime adekuate për pacientët të cilët kanë pasur nevojë për këto shërbime. Një vit ku kemi futur një aparaturë të re në funksion në shërbimin e radioterapisë, që në masë të madhe do ta lehtësojë punën e stafit dhe do të rrisë sigurinë në trajtimin e pacientëve me rrezatim. Kjo shënon një kthesë të madhe në Klinikën e Onkologjisë dhe në të njëjtën kohë gjatë vitit 2025 kemi aktivizuar kartelën elektronike për pacientët, që në masë të konsiderueshme lehtëson punën e pacientëve të cilët trajtohen dhe marrin shërbime në klinikën tonë. Meqenëse sëmundjet malinje janë në rritje në çdo vend, Kosova në këtë vit sëmundjet malinje e gjen me numër të njëjtë me vitin paraprak. Deri në fund të vitit ne do të regjistrojmë dhe do të identifikojmë pacientët të cilët për herë të parë kanë hyrë në klinikën tonë, janë një numër gati dy mijë e 100, që është numri i njëjtë me vitin 2024 dhe kjo është një shenjë e mirë që të mos kemi një numër më të lartë. Shpresojmë që viteve në vazhdim ky numër të mbetet së paku kaq ose të ulet, që ta kemi më të lehtë përballimin e këtij fluksi të pacientëve dhe t’i trajtojmë në mënyrë korrekte”, ka deklaruar Kurtishi për EO.

Drejtori i Onkologjisë thekson se incidenca e sëmundjeve malinje te personat nën 50 vjeç është në rritje, ndërsa rastet te moshat mbi 60 vjeç po shënojnë rënie të lehtë. Ai nënvizon se Klinika e Onkologjisë mbetet institucioni i vetëm publik që trajton shumicën dërrmuese të këtyre rasteve dhe se investimet e fundit e kanë bërë atë konkurruese me vendet e rajonit, duke theksuar se Klinika trajton çdo ditë qindra pacientë, ndërsa gjatë javëve të ngarkuara ofron shërbime për mbi 900 pacientë.

“Numri i pacientëve në rritje lidhet me faktin se jetëgjatësia e pacientëve me sëmundje malinje është rritur, andaj kanë edhe nevojë për më shumë shërbime, më shumë trajtime dhe më shumë kontrolle. Kjo normalisht rrit edhe numrin e rasteve që kërkojnë kontrolle më të shpeshta tek onkologu. Onkologjia çdo ditë trajton së paku në shërbimin ditor 200–250 pacientë dhe rreth 120–130 në shërbimin e radioterapisë. Ky është një numër mjaft i lartë i rasteve që paraqiten në klinikën tonë dhe trajtohen gjatë një dite. Kemi javë ku për pesë ditë ofrojmë shërbime për më shumë se 900 pacientë që kanë nevojë për këto shërbime. Ajo çka është trend në vendet e rajonit dhe në Kosovë në vitet e fundit, incidenca e sëmundjeve malinje te moshat nën 50 vjeç ka tendencë të rritet. Paraqiten pacientë me sëmundje malinje në mosha më të reja, nga 30–50 vjet. Nga viti në vit këto raste po shtohen, ndërsa në anën tjetër në një numër të vogël po ulen rastet e sëmundjeve malinje që paraqiten te mosha mbi 60 vjeç”, tha Kurtishi.
