27-11-2024

Rreth 3 mijë qytetarë kërkuan lirimin nga shtetësia

Edhe më tej po vazhdon heqja e shtetësisë nga qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë e veprojnë në vende të ndryshme.

Arsyet e lirimit të shtetësive janë të ndryshme, si problemet gjatë kalimit nëpër Serbi, mos lejimi i dy shtetësive e çështje tjera, tregojnë mërgimtarët.

Që nga themelimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme deri tash, mbi 63 mijë shtetas kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme tregojnë për Gazetën Sinjali, se numri i përgjithshëm i shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë hequr dorë nga shtetësia është 63 mijë e 50 persona.

Sipas zyrtarëve të MPB-së, arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës është pasi që shumë shtete të Bashkimit  Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë, përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e BE-së.

Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashmë me vite në këto shtete, e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e fitimit të shtetësisë, janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi.

“Pra arsyeja kryesore është ndalimi i dy shtetësisë në shumë vende”, thonë nga Ministria e Brendshme.

Nga MPB-ja tregojnë për Gazetën Sinjali se gjatë periudhës 1 janar deri me 30 gusht të këtij viti janë bërë 2 mijë e 765 kërkesa për lirim nga shtetësia  e Kosovës.

Ndërsa nga shtetësia janë liruar 2 mijë e 978 persona.

Asnjë koment

Comments are closed.