Rreth 330 mijë euro për përmirësimin e ajrit, ndriçim publik dhe riciklim në Prizren
Në partneritet me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), në Prizren do të fillojë zbatimi i projektit që do të mbështet zhvillimin e qëndrueshëm.
Kryetari i Komunës, Mytaher Hasakuka ka njoftuar se në një takim që ka pasur me përfaqësuesit e UNDP-së dhe ADA-s është dakorduar, që nga ky projekt, të themelohet Qendra për Zhvillim të Gjelbër dhe të krijohet plani gjithëpërfshirës për zhvillim të qëndrueshëm.
“Plani gjithëpërfshirës do të kujdeset për përmirësimin e cilësisë së ajrit, përdorimin efikas dhe të kursyeshëm të burimeve të energjisë, mundësinë e krijimit të hapësirave për këmbësorë dhe çiklistë, ndriçimin e hapësirave publike me energji solare, si dhe reduktimin, ripërdorimin dhe riciklimin e mbetjeve të ngurta, kurse Qendra për Zhvillim të Gjelbër do ta bëjë monitorimin dhe raportimin e tyre”, ka njoftuar ai.
Projekti do të jetë dy vjeçar dhe vlera e tij parashihet të jetë 330 mijë euro. Rreth 90% të kësaj shume do të financohet nga ana e UNDP-së, derisa pjesa tjetër e mbetur do t’i takojë Komunës për financim.