Rreth 400 të prekur me COVID-19 po trajtohen nëpër spitale, 15 janë në respiratorë
Rreth 600 pacientë janë të hospitalizuar në Qendrën Klinike Unviversitare dhe spitalet e tjera të vendit, 398 prej të cilëve janë të konfirmuar me COVID-19.
Detaje rreth gjendjes së tyre ka dhënë Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Sipas raportit të fundit të ShSKUK’së, 15 pacientë janë në respiratorë, 24 me CPAP dhe 365 të tjerë me oksigjenoterapi.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka njoftuar se në 24-orëshin e fundit janë konfirmuar 226 raste të reja me COVID-19.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 459 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 226 raste pozitive”, thuhet në njoftim.
IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 115 pacientëve.
Numri i rasteve të konfirmuara që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 8 mijë e 330, me gjithsej 227 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese./Gazeta Express