Rreth 80 mijë vota rezultojnë të manipuluara pas rinumërimit, prin PDK-ja
Eugen Cakolli nga KDI ka theksuar se mundësia që qytetarët të votojnë deri në 10 kandidatë e bën procesin zgjedhor më të cenueshëm ndaj gabimeve dhe abuzimeve.
“Rritja e numrit të votave preferenciale deri në 10 kandidatë, së bashku me centralizimin e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, e ka bërë procesin shumë më të cenueshëm ndaj abuzimeve. Kur të dhënat përpunohen nga një numër i vogël personash – që në disa raste rezultojnë të jenë familjarë apo të afërt të kandidatëve – ndërhyrjet mund të prodhojnë devijime të mëdha në rezultate”, tha Cakolli.
Ai shpjegoi se në Kosovë ka pasur rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike, ndërsa për shkak të votës preferenciale deri në 10 kandidatë, janë regjistruar 6.8 milion vota për kandidatët. “Kjo do të thotë se mesatarisht çdo votues ka shënuar rreth 7 kandidatë në fletëvotim”, shtoi ai.
Nga rinumërimi i mbi 50% të vendvotimeve në QNR, deri më tani, rreth 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit.
Prej tyre, pas rinumërimit, 47,619 vota u janë hequr kandidatëve sepse u ishin shtuar gjatë numërimit fillestar, ndërsa 32,018 vota u janë shtuar kandidatëve pas rinumërimit, pasi u ishin hequr gabimisht më herët.
Brenda këtyre rreth 80 mijë votave të afektuara, rreth 40 mijë i takojnë kandidatëve të PDK-së, rreth 15 mijë LVV-së, rreth 11 mijë LDK-së dhe rreth 4 mijë AAK-së.

Sipas komunave, mbi 80% e këtyre votave vijnë vetëm nga komuna e Prizrenit. Tutje renditen Malisheva dhe Podujeva, e rinumëruar deri më tani vetëm 10%.
Cakolli përfundoi duke vënë në dukje se procesi i ri i votës preferenciale dhe centralizimi e kanë bërë numërimin më të ndjeshëm ndaj gabimeve dhe devijimeve.
“Kur një numër i vogël personash ka qasje në të dhëna dhe janë të lidhur me kandidatët, mund të ketë devijime të konsiderueshme në rezultatet përfundimtare”, shkroi ai në ‘Facebook’.

