28-11-2024

Rrëzohet kërkesa e mbrojtjes së Selimit për përjashtim të disa pjesëve të procesverbalit të 19 prillit

Gjykatësi Charles Smith III, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në seancën e së mërkurës, ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Selimit, lidhur me përjashtimin e disa pjesëve të procesverbalit gjatë seancës së 19 prillit 2023.

“Në fund të seancës së 19 prill 2023, mbrojtja e Z. Selimi kërkoi të përjashtoheshin disa pjesë të procesverbalit në faqen 3230 dhe ky është transkripti zyrtar dhe këtë e bëri para se të paraqiste kundërshtimin”, tha paraprakisht gjykatësit Smith.

Ai fillimisht tha se gjatë dëshmisë së dëshmitarit 265, mbrojtja e Selimit paraqiti një kundërshtim  për dëshminë ku kinse lidhet Selimi me një incident të caktuar dhe se baza mbi kundërshtimin e mbrojtjes është se dëshmia e propozuar për këtë dëshmitar, për këtë incident, u përjashtua me urdhër gojor të trupit gjykues më 17 prill 2023.

“Trupi gjykues e shqyrtoi kërkesën dhe nuk mendon se ka raste ligjore, të parashikuar me ligje apo në rregullore që t’i japë të drejtë trupit gjykues të heqin nga procesverbali pjesë të caktuara për të cilat nuk pajtohet mbrojtja”, tha ai.

Andaj, gjykatësi Smith tha se për çdo rast dëshmia që është dhënë, do të gjykohet në mënyrë të përshtatshme, andaj edhe kërkesa e Selimit është rrëzuar.

Ndryshe, në fillim të seancës është bërë një ndryshim në procesverbal, sa i përket një prove materiale e cila është duplikuar, andaj dy dokumentet kanë mbetur nën numrin e njëjtë të provës.

Po ashtu, është kërkuar nga ana e ZPS-së që të sqarojë gjatë ditës së sotme se për cilën provë materiale bëhet fjalë në mocionin e tyre për pranimin e deklaratave të të akuzuarve, ku thuhet se do përdorin provën materiale me numër 14, një intervistë e Thaçit me ZPS-në në janar të 2020-ës, pasi që sipas gjykatësit Smith ‘‘trupi gjykues nuk është i sigurt se për cilën provë materiale bëhet fjalë’’.

Kurse, i njëjti ka treguar se do të ketë ndryshim në caktimin e seancave për muajin shtator dhe tetor, duke thënë se nuk do të mbahet seancat e 2, 3, 4 dhe 5 tetorit, por do të mbahen seanca më 25, 26 dhe 27 shtator 2023.

Ndryshe, gjatë seancës së sotme ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt i mbrojtur i prokurorisë, me ç’rast seanca ka kaluar në sesion privat./BetimiperDrejtesi

Asnjë koment

Comments are closed.