22-11-2024

Rruga që lidh fshatrat Hasit Marosh -Dedaj, në gjendje të mjerueshme (FOTO)

Ka vetëm 1 km për të lidhur jo vetëm fshatrat e Hasit, por edhe dy komuna, atë të Prizrenit e Gjakovës, por rruga ka mbetur si mos më keq, në gjendje të mjerueshme.

Lagja Marosh e fshatit Demjan të Gjakovës distancë kaq të shkurtër mbetet e shkëputur nga fshati Dedaj i Prizrenit dhe përmes tij me fshatrat tjera të këtij rajoni, si pasojë e mungesës së infrastrukturës rrugore, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Banorët kanë shprehur indinjatën e tyre për mosrregullimin e rrugës, ndërsa thonë se çështja është përmendur vazhdimisht gjatë fushatave elektorale, por më pas kanë mbetur vetëm premtimet, derisa atyre u duhet të ecin në gropa e baltë, duke bartur edhe peshën e dëmeve në automjete.

Përmes dërgimit të disa fotove, për të treguar gjendjen e mjerueshme të trasesë së rrugës, ata kërkojnë vëmendjen e merituar nga organet komunale në Gjakovë e Prizren, si dhe sqarimin e përgjegjësisë së zonave kadastrale, për asfaltimin e rrugës që për ta ka një rëndësi jetike.

Përmes rregullimit të saj, po ashtu do të shkurtohet distanca për të lidhur fshatrat e Hasit, përmes aksit Gjonaj-Bishtrazhin./GazetaePrizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.