Rubin deklarohet rreth Gjykatës në Hagë, ja çfarë mendon rreth vendimit për ish-krerët e UÇK-së
Ish-zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka theksuar sërish se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka pasur rol kryesor në udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një intervistë për gazetaren Christiane Amanpour, pas përfundimit të dëshmisë së tij në Hagë, Rubin theksoi se Thaçi, i ri në atë kohë, nuk kishte kontroll mbi asgjë.
“Nuk është e vërtetë që të gjithë shqiptarët urrejnë serbët, dhe të gjithë serbët urrejnë shqiptarët. Por ky gjyq është duke fajësuar liderët e UÇK-së për gjërat që ata nuk kishin kontroll. Ishte shumë e qartë se zotëri Thaçi, një djalë i ri në atë kohë, nuk kishte kontroll mbi asgjë,” tha Rubin.
Ai u shpreh i befasuar nga pyetjet e gjyqtarëve në Tribunal, të cilat i dukeshin tepër të anshme dhe jo të synuara për të gjetur fakte. “Prokuroria duhet ta shtrojë akuzën e saj. Mbrojtja ta shtrojë mbrojtjen e saj. Gjyqtarët supozohet që thjesht duhet të mbledhin evidencë në mënyrë që të bëjnë gjykimin më pas.
Dhe prej pyetjeve që mu bënë nga disa prej gjyqtarëve, mu duk se tashmë kishin marrë vendim se UÇK-ja ishte tamam organizatë që funksiononte si duhet me Hashim Thaçin në krye. Gjë që s’është e vërtetë,” shtoi ish-diplomati.
Rubin kërkoi që Tribunali i Hagës të bëjë gjënë e duhur dhe t’i shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së.
Rubin po ashtu tha se Ballkani është në një situatë të frikshme, por jo në një zonë lufte.