Rusia dëbon diplomatët evropianë, morën pjesë në “protesta të paligjshme”
Rusia thirri ambasadorët e Suedisë, Polonisë dhe Gjermanisë në Ministrinë e Jashtme dhe iu komunikoi atyre një notë proteste për pjesëmarrjen e disa prej diplomatëve të tyre në “demonstratat e paligjshme” më 23 janar në mbështetje të Aleksei Navalnit, të organizuara në Moskë dhe Shën Petërsburg .
Diplomatët në fjalë janë shpallur “non grata” dhe do të duhet të largohen nga vendi “në të ardhmen e afërt”.
Moska gjithashtu, shënoi veprimet e tyre si “të papranueshme” dhe që “nuk korrespondojnë me statusin e tyre diplomatik”, duke thënë se pret që misionet diplomatike të të tre vendeve dhe personeli i tyre, “të ndjekin me përpikëri normat e së drejtës ndërkombëtare” në të ardhmen.
Dëbimi vjen vetëm disa orë pas takimit, i cili u zhvillua në kryeqytetin rus, midis shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov dhe shefit të politikës së jashtme të BE, Josep Borrell.
Ky i fundit, kishte deklaruar se marrëdhëniet midis Moskës dhe Brukselit ishin në pikën e tyre më të ulët për shkak të helmimit dhe arrestimit të Navalnit.
Lavrov u përgjigj, duke hedhur poshtë çdo ndërhyrje evropiane në politikën e brendshme ruse. Nga ana e tij, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, “dënoi me forcë” vendimin e Rusisë për të dëbuar grupin diplomatëve europianë.
Reagimi nga Suedia, e cila e konsideroi vendimin “plotësisht të pabazuar” dhe nga Polonia, e cila fliste për marrëdhëniet “në rrezik”, midis vendeve, ishte i ashpër.
Kancelarja Angela Merkel, ndërhyri gjithashtu për këtë çështje, e cila, në një konferencë shtypi me Emmanuel Macron, e quajti veprimin rus “të pajustifikuar”, por gjithashtu shtoi se ajo e konsideroi të nevojshme “mbajtjen e një dialogu me Rusinë”, pavarësisht nga ngjarjet e fundit për çështjen e kundërshtarit të Putinit, Aleksei Navalni.
“Sfida diplomatike, – shpjegoi ajo, – është të mbash dialogun megjithë ndryshimet e thella”. Ministria e Jashtme gjermane thirri më pas ambasadorin rus në Berlin për “sqarime të mëtejshme”. /noa.al/