24-11-2024

Ryshfeti, i dëmtuari thotë se rojet e pyllit në Suharekë i kërkuan atij para

I dëmtuari Fehmi Qatani, ka deklaruar se dy të akuzuarit për marrje ryshfeti, Avdi Trolli dhe Nuhi Bajraktari, i kishin kërkuar atij para.

Një deklarim të tillë, i dëmtuari Qatani e ka dhënë të martën në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit.

Trolli dhe Bajraktari, akuzohen se në cilësinë e rojeve të pyllit në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Suharekës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar para për vete, me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Mehdi Sefa, dëshmitari Qatani, ka thënë se kanë kaluar mbi tre vjet që kur ka ndodhur rasti, ku sipas tij, ai ishte zënë duke prerë dru në mënyrë ilegale, në fshatin Duhël, nga tani i akuzuari Avdi Trolli.

“Kur kam shkuar në Duhël për të prerë drurë, aty jam zënë nga rojtari i pyllit Avdi Trolli, i cili pasi më ka zënë, më ka thënë “hajde në qafë tek kafja “Giri”, mirru vesh me ata se a po ta falin, kur kam shkuar aty kanë qenë dy shumarë në veturë, por vetëm Nuhi Bajraktari ka dal prej veturës, i cili më tha se nuk ta fali”, ka thënë dëshmitari Qatani.

Ai tha se kishte telefonuar nipin e të akuzuarit Bajraktari, për t’i kërkuar ndihmë rreth rastit.

“Pas bisedës që e kam pasur me nipin e Nuhiut, kam shkuar tek restorant “Giri” dhe me vete kam pasur 45 euro, këto para ia kam dhënë Nuhisë,  i cili ka qenë me veturë bashkë me Avdin, i cili pasi i ka marrë të hollat, ka dal prej veturës dhe më ka thënë “me këto para ne nuk e hajmë shtetin”, duke i kërkuar 100 euro”, ka thënë Qatani në dëshminë e tij.

Ai ka deklaruar se shumën e parave prej 100 euro më pas ia kishte dhënë  Nuhi Baraktarit tek “Ben afi” në Suharekë.

Në pyetjen e prokurorit Mehdi Sefa, se cila ka qenë arsyeja e dhënies së parave Nuhi Bajraktarit, i dëmtuari ka thënë se këtë e kishte bërë pasi që i akuzuari Bajraktari, i kishte thënë se nuk do të shkruante fletëparaqitje.

Por, sipas tij, edhe pasi që i kishte dhënë këto para, i njëjti kishte shkruar fletëparaqitje.

Dëshmitari Qatani, ka thënë se për këtë rast është thirrur edhe nga Gjykata e Suharekës, e ku sipas tij, ishte takuar me të akuzuarin Avdi Trolli.

“Te dera e gjykatës e kam takuar Avdiun, i cili më tha “ti mos e prano veprën e unë ka me i thënë gjykatës se ti nuk ke qenë ditën kritike dhe se gabimisht të kemi paraqitur”, ka thënë tha dëshmitari Qatani.

Qatani është përgjigjur edhe në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit Avdi Trolli, se kujt ia kishte dhënë paratë dhe në cilin vend.

“Më 29 tetor 2014, jeni zënë duke prerë dru nga rojtari i pyllit Avdi Trolli, e më pas sipas deklarimit tuaj, keni dhënë para në vlerë prej 100 euro, Nuhi Bajraktarit, pse ju e keni paraqit në polici Avdi Trollin, kallëzimi i juaj penal është bërë pas dy viteve nga rasti i ndodhur, pse nuk e keni raportua menjëherë”, e ka pyetur të dëmtuarin Qatani.

Lidhur me pyetjen e avokates, Qatani ka thënë se rastin e kishte paraqitur pasi që i ishte kujtuar se mund ta bënte një gjë të tillë, duke shtuar se ato para sipas tij, i  ka marrë edhe Avdi Trolli.

Gjykatësi Skender Çoçaj, seancën e radhës e ka caktuar më 18 janar 2019, prej orës 11:00, në të cilën do të ftohet dëshmitari i radhës.

Në seancën e mbajtur më 6 nëntor 2018, dy të akuzuarit Trolli e Bajraktari e kishin mohuar fajësinë për marrje të ryshfetit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 28 shtator 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avdi Trollit dhe Nuhi Bajraktarit, me pretendimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas aktit akuzues, më 29 tetor 2014, në afërsi të restorantit “Giri” në Qafë të Duhles, të akuzuarit në cilësinë e rojeve të pyllit në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Suharekës, në mënyrë të drejtë për drejtë kërkojnë para për vete, me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se deri sa i akuzuari Trolli ishte në detyrë të rojtarit në Njësinë Ekonomike në Caralevë, Fehmi Qatanin e ka hasur duke prerë dru me motor sharrë, dhe ka kërkuar nga ai që të shkojë në restorantin “Giri” në “Qafë të Duhlës”,  pasi që ka nevojë të konsultohet me kolegë të tjerë. Tutje, në aktakuzë thuhet se përball restorantit i afrohet i akuzuari Bajraktari, duke i thënë “nëse ka para për ti dhënë, nuk do t’i shkruajnë procesverbal, por do ia falin”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Qatani ia jep 45 euro të akuzuarit Bajraktari, i cili fillimisht i merr këto para dhe shkon në konsultim me të akuzuarin Trolli i cili ishte në automjet, ku ky i fundit e hap dritaren e automjetit dhe nga aty i gjuan paratë dhe kërkon nga i dëmtuari 100 euro për mos paraqitje të rastit në gjykatë. /BetimipërDrejtësi/

Asnjë koment

Comments are closed.