24-11-2024

Sa është përgatitur Prizreni për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit?

Komuna e Prizreni ka bërë planet për ta kaluar dimrin. Në kontekstin e përgatitjeve janë siguruar rreth 800 tonë kripë industriale për të dalë në pranverë, ndërsa sa i përket operatorëve gjërat janë me të vjetrën, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Zyrtari për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prizrenit, Lis Dorambari ka thënë se Drejtoria e Shërbimeve Publike me anë të tenderit ka siguruar 800 tonë kripë industriale, që do t’u shpërndahet kompanive të kontraktuara sipas kilometrave të rrugëve që do ta mirëmbajnë.

Në listën e mirëmbajtjes dimërore nga kompanitë përkatëse janë mbi 76 kilometra rrugë në qytet dhe rreth 209 të tjera që lidhen me fshatrat.

“Sa i përket fshatrave kompanitë janë të obliguar që pas rënies së borës, të intervenojnë në fshatra duke larguar borën deri në qendër të fshatit, pra rrugën kryesore si dhe ato që lidhen me shkollën e ambulancën shëndetësore. Këtu përfshihet pastrimi i borës, akullit, hedhja kripës dhe pastrimet e tjera”, ka thënë Dorambari për portalin “GazetaePrizrenit.net”.

Për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në qytet dhe fshatra janë të kontraktuara tri kompani: “IS Company”, “NSH Shërbimi” dhe “Ekoregjioni”. Sipas zyrtarëve, ato kanë kontrata kornizë tri vjeçare deri më 07.02.2019 dhe i kanë terrenet e ndara në zona, si në qytet ashtu edhe në fshatra.

Do theksuar se operatorët për dimër në Prizren tashmë kanë një përvojë, por varet sa do të jenë azhur për intervenime të shpejta për të mos lejuar vështirësitë apo mbylljen eventuale të rrugëve nga bora./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.