22-11-2024

Sa janë atraktive shkollat tona?

Shkruan: Qazim Morina

Sot, fillon gjysmëvjetori i dytë. Kësaj dite i gëzohet pjesa më e madhe e nxënësve, që me entuziazëm do të rikthehen për të vazhduar mësimin në shkollat që iu përkasin. Ka edhe të atillë,  që përtojnë për fillimin e mësimit,  duke dashur që pushimet të zgjasin më tepër. Kështu ka qenë edhe më parë.

Ajo që ka ndryshuar tashmë sa i përket shkollës, nuk është vetëm aplikimi i një programi të ri, të quajtur Kurrikulë, por edhe objektet, numri i nxënësve e gjëra të tjera.

Në të kaluarën, në shumë pikëpamje, shkolla ishte më e avancuar se ajo çfarë ofronte shtëpia, përfshirë mundësitë teknike dhe nivelin e prindërve e familjarëve, të cilët në të shumtën, sidomos në fshatra ishin të pa shkolluar.

Në shumë raste, shkolla në Kosovë sot është prapa kërkesave të kohës, asaj çfarë ofrohen gjetiu në vende nga po i marrin “Copy” Kurrikulat, e për më keq edhe prapa mundësive, të cilat tashmë i kanë fëmijët në shtëpi.

Kopjimi i Kurrikulës, pavarësisht kushteve të vendeve perëndimore

Ndonëse koha ka sjellë përparime teknologjike, në shkollat publike ende shkruhet në tabelat tradicionale (dërrasa). Nxënësit shpesh duhet t’i mbyllin veshët, kur shkumësat fishkëllejnë gjatë të shkruarit në to.

Procesi i mësimdhënies është shumë kompleks, pasi ndër të tjera përfshin raporte dhe marrëdhënie, që duhet gërshetuar dhe harmonizuar njëkohësisht dhe vazhdimisht. Në pjesën më të madhe të shkollave, mungojnë kabinetet e nevojshme, laboratorët, mjediset sportive, e të mos flasim, për siç përmenda më lart tabelat smart (të mençura). Për më keq edhe ato shkolla që kanë salla të fizkulturës, gjatë dimrit nuk kanë ngrohje.

Kjo ndodh në kohën kur një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve, para se të shkojnë në shkollë në duar kanë telefona të mençur, kompjuterë, laptop, etj.

Po ashtu do përmendur se fëmijët tanë bartin çanta të mbingarkuara, apo çanta hamalli, duke pësuar deformime të boshtit të kurrizit, sidomos nxënësit e filloreve.

Shtrohet pyetja: Sa janë tashmë atraktive shkollat tona?!

Në anën tjetër, ndonëse kanë më shumë mundësi, hulumtimet flasin që tashmë  fëmijët lexojnë më pak literaturën shkollore, megjithëse kanë më shumë njohuri të përgjithshme.

Formë, por jo edhe përmbajtje

Paradoks tashmë është se, në disa fshatra sot kemi shkolla shumë më të mëdha se sa numri i nxënësve, që sikur në Kosovë edhe në komunën e Prizrenit po shkon drejt rënies.

Derisa numri i fëmijëve po zvogëlohet vazhdimisht,  në disa lokalitete, sidomos në fshatra, për t’u parë ndikimi i njerëzve të pushtetshëm, ndërtohen shkolla të mëdha e të panevojshme (që kushtojnë edhe për t’i ngrohur),  në vend se ato të pajisjen me kabinete, laboratorë dhe të ndërtohen terrene sportive, për të krijuar kushte bashkëkohore për nxënësit.

Do theksuar se vetëm vitin 2019, në Prizren janë lindur 262 fëmijë më pak, se në vitin paraprak, apo dyfish më pak se sa në vitin 2018. Pra, kjo tregon se për çdo vit po shuhet nga një shkollë.

Investimi në mjedise sportive në shkolla,  si dhe sigurimi i ngrohjes nëpër salla, konsideroj se duhet të jetë prioritet kryesor yni. Kjo, për shkak se Kosova ka fëmijë të talentuar dhe që ka treguar suksese në botë, duke përfaqësuar denjësisht vendin,  në ngjarje të rëndësishme sportive,  që përmirësojnë imazhin e Kosovës.

Një gjë, duhet thënë me këtë rast. Objektet e mëdha bëhen edhe për përftimet e disa ndërtuesve matrapazë, ku si duket hise kanë edhe ata që “msitnojnë” apo kanë mundësuar një objekt me sipërfaqe të madhe. Këtu përfitues nuk janë fëmijët e as komuniteti.  Përfitues është vet ndikuesi, që përmes formës, pra një objekti sa më të madh, mendon të fitojë famë, “votë”.  Këtë, duhet ta dinë prindërit, por edhe fëmijët, kur të rriten. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.