26-02-2025

Sa kushton rryma tash dhe pse ka kërkesa për shtrenjtim të saj?

Me afrimin e marsit, nisin edhe shqetësimet për shtrenjtimin e mundshëm të rrymës në Kosovë.

Në këtë kohë, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Sivjet, ZRRE-ja konfirmoi se kompanitë për shpërndarje dhe furnizim me rrymë kanë kërkuar që ajo të shtrenjtohet, por nuk specifikoi se sa.

Sa kushton rryma aktualisht?

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët e amvisërisë, komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.


 

Pse ka kërkesa për shtrenjtim të rrymës?

Në kërkesën e KESCO, te bërë publike nga ZRRE-ja, thuhet se arsyet lidhen me rritjen e konsumit dhe me prodhimin e ulët vendor.

Në këtë dokument thuhet se, vitin e kaluar, Kosova ka importuar 168 GWh (gigavat-orë) energji, me një kosto prej 47.8 milionë eurosh, nga të cilat 35.6 milionë euro janë shpenzuar vetëm në tre muajt e fundit të vitit.

Parashikimet për këtë vit janë që të importohen 318 GWh.

Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.6 milion banorëve të saj me rrymë, andaj edhe importon nga bursat e huaja.

Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e tij, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B./GS

Asnjë koment

Comments are closed.