23-11-2024

Sa po e luan rolin opozita në Prizren?

Zgjedhjet lokale lanë në opozitë jo vetëm PDK-në që për një dekadë menaxhoi Prizrenin, por edhe partnerin e saj qeverisës AAK-në, me të cilën kishte edhe koalicion parazgjedhor. Të dy këto subjekte edhe më parë kanë provuar  një pozicion të tillë politik. Dallimi mes tyre është që AAK ka qenë pjesë e koalicioneve, por nuk ka mundur që vetë ta drejtojë pushtetin sikur PDK-ja, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

E përbashkëta e tyre ndërkaq është  se përkundër që mbeten në opozitë, krahasuar me mandatin paraprak kësaj radhe ato shënuan rritje të njëjtë të numrit të anëtarëve të Kuvendit Komunal (KK) nga një sosh. PDK tashmë i ka 13,  ndërsa AAK 4 asamblistë.

Në opozitë po ashtu është edhe Vakat-i boshnjak, që mund të thuhet se ka mbetur “jetim” nga dy simotrat tjera NDS dhe KDTP-turke, që vazhduan ta kenë hisen e tyre, përkundër ndërrimit të pushtetit nga PDK tek Vetëvendosja!

Nga 41 ulëse sa ka salla komode e KK-së, e cila nga koha e ish-kryetarit Eqrem Kryeziu njihet si “Shtëpia e Bardhë”,  opozita ka 19 vende. Por, megjithë numrin gati të përafërt të asamblistëve me koalicionin qeverisës prej 5 subjektesh,  të Kryetarit Mytaher Haskuka,  në pjesën e parë të vitit, hiq ndonjë reagim individual, fitohej përshtypja për një opozitë të “zbehtë”.

Kjo i krijoi komoditet  Haskukës së papërvojë,  jo vetëm për të qenë rehat, por edhe për ta kritikuar,  pothuajse në çdo paraqitje punën e bërë nga ish-qeverisja e kaluar  PDK-AAK, anipse në pushtet vazhdon ta ketë të njëjtin drejtor për Financa, Ertan Simitçi (KDTP), që ishte edhe në kohën e Ramadan Mujës, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Përkundër që doli në opozitë,  pasi shkaku i një diference të ngushtë votash në zgjedhjet për balotazh nuk mundi ta merr edhe postin e kryetarit të komunës,  PDK mbetet partia më e madhe në Prizren. Për këtë edhe pritshmëritë qytetare sa i përket veprimeve opozitare janë të drejtuara  tek kjo parti, që konsiderohej zëri kryesor opozitar,  marrë parasysh jo vetëm e asamblistëve kundrejt VV-së,  që ka vetëm 7 ulëse në Asamble, por edhe për shkak të eksperiencës së gjatë të PDK-së në pushtetet dhe opozitë.

Paraqitjet e kuvendarëve të saj, gjatë seancave të KK-së, përkundër  kritikave drejtuar pushtetit,  deri në seancën e fundit,  mbajtur dy javë më parë, më tepër linin përshtypjen si qëndrime individuale se sa të një grupi të organizuar homogjen.

Nëse duhet dalluar nga grupi, është një këshilltare e pa papërvojë, që për herë të parë është zgjedhur si kuvendare, Dafina Bllaca në paraqitjet e saj në KK jo vetëm që kritikon punën e pushtetit,  por ndonjëherë edhe jep edhe propozim për çështje konkrete.

Po ashtu është kuvendarja Sherife Balaj, e cila ka një përvojë në ekzekutivin e kaluar, si drejtoreshë për Mirëqenie sociale, e cila kryesisht ka potencuar problematikën nga kjo fushë.

Këshilltari i përbërjes së kaluar, Alush Shala, edhe kësaj radhe vazhdon të jetë këmbëngulës në realizmin e kërkesave, të cilat kanë të bëjnë me komunitetin që përfaqëson.

AAK-ja përbën subjektin e dytë për nga madhësia në opozitë.

Këshilltari më aktiv në këtë grup, por edhe në tërë KK-në lirisht mund të thuhet se është Ilir Baldedaj. Pos reagimeve në rastet e dyshuara për shkelje nga ana e pushtetit, ai ka paraqitur edhe propozime dhe iniciativa. Në paraqitjet e tij, të cilat duket se bëhen në mënyrë të vendosur Baldedajt i ka shërbyer edhe përvoja, si pjesë e ekzekutivit të kaluar, kur udhëhoqi Drejtorinë për Administratë.

Dy këshilltarët e këtij grupi,  Agnesa Sinanaj dhe Vjollca Kabashaj, përkundër që janë për herë të parë në këtë pozitë, së paku në 7 muajt të parë të punës së KK-së, duket se po e ‘luajnë’ mirë rolin  opozitar, duke  kritikuar parregullsitë e vërejtura dhe paraqitur edhe ndonjë propozim.

Sa i përket anëtarëve  nga Vakat-i boshnjak, sikur edhe në rastet tjera të komuniteteve pakicë, paraqitjet e tyre kanë të bëjnë kryesisht me nevojat e banorëve në zonat prej nga vijnë. Vlen të përmendet se edhe pse janë në opozitë paraqitjet e tyre, përputhen me ato të pozitës në rastet kur në pyetje janë interesat e komunitetit boshnjak.

Për shtatë muaj të kësaj përbërjeje të Asamblesë nuk ka pasur ndonjë propozim për ndonjë rregullore apo akti tjetër, miratimi i të cilit është në kompetencë të Kuvendit. Nuk është vërejtur as ndonjë fushatë avokuese nga ndonjë anëtar i Kuvendit, apo grupi të këshilltarëve për ndonjë çështje të caktuar.

Derisa në pjesën e parë të vitit nuk është vërejtur ndonjë reagim i përbashkët opozitar, tash ka një sinjal se PDK e AAK mund të bëjnë shumë si opozitë, duke e mbajtur pushtetin të përgjegjshëm dhe aktiv. Këtë e dëshmon iniciativa e Baldedajt të AAK-së, përkrahur edhe nga PDK për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, në të cilën është kërkuar shkarkimi i drejtorit komunal për kulturë, për shkak të mosmbajtjes së festivalit tradicional “Zambaku i Prizrenit”.

Nëse opozita e tashme do ta shfrytëzojë eksperiencën si atë në pushtet dhe atë në opozitë, atëherë ky është një paralajmërim serioz për kryetarin Haskuka, i cili prej së është në këtë pozitë, vetëm në seancën e fundit të KK-së, ka parë një reagim më këmbëngulës opozitar.

Opozita prizrenase është në situatë të mirë, pasi siç theksuam ka edhe numrin e duhur apo 5 më shumë se 1/3 e nevojshme, për të iniciuar mbajtjen e seancave të jashtëzakonshme të organit më të lartë lokal,  ku sipas rregullores duhet minimum të jenë 14 nënshkrime të kuvendarëve, për ta trajtuar ndonjë çështje me urgjencë në KK./GazetaePrizrenit.net/

P. S
Në editorialin e djeshëm në “GazetaePrizrenit.net” ka qenë shkrimi:

https://gazetaeprizrenit.net/2018/08/13/cfare-perfaqesimi-po-ben-koalicioni-qeverises-ne-prizren/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.