Samsung prezanton telefonin më të hollë intelegjentë, përballë konkurrencës me Apple
Gjiganti teknologjik Samsung Electronics ka zbuluar zyrtarisht modelin më të hollë të deritanishëm të serisë së tij kryesore të telefonave të mençur, Galaxy S25 Edge.
Ky telefon, i “armatosur” me funksione të avancuara të Inteligjencës Artificiale, synon të tërheqë veçanërisht gjeneratën e re të përdoruesve në të 20-at dhe 30-at, të cilët kërkojnë pajisje më të holla, portative dhe funksionale.
“Reagimet ishin të qarta – përdoruesit donin diçka më të hollë dhe më të lehtë për t’u mbajtur pa sakrifikuar performancën”, ka deklaruar Samsung, duke theksuar se ka bërë ndryshime strukturore të komponentëve të brendshëm për të arritur këtë rezultat.
Sipas analistëve, koha e lansimit është e qëllimshme, për të paraprirë Apple, e cila pritet të prezantojë një iPhone më të hollë në gjysmën e dytë të vitit.
“Duke e lansuar produktin disa muaj më parë, Samsung mund të ketë ndikim te Apple dhe të tërheqë konsumatorët që kërkojnë telefona inteligjentë më të hollë. Duket se është një vendim i llogaritur për të kapur atë segment të kërkesës”, ka deklaruar Ryu Young-ho, analist në NH Investment & Securities.
Samsung ka njoftuar se S25 Edge do të jetë në shitje në Korenë e Jugut më 23 maj, ndërsa në Shtetet e Bashkuara më 30 maj. Telefoni do të prezantohet në rreth 30 shtete, përfshirë Kinën dhe Evropën.