26-02-2025

Satelitët shqiptarë, çfarë parashikon marrëveshja 6 milionë dollarëshe?

Edhe pse mbajnë emrin “Albania 1” dhe “Albania 2”, nuk janë tërësisht tanët, por shteti shqiptar do të ketë prioritet në përdorimin e tyre. Sipas “Satellogic”, kompanisë gjeohapësinore që menaxhon dy satelitët, këtë parashikon marrëveshja prej 6 milionë dollarëshe.

Kompania do t’i mundësojë Shqipërisë ndihmë në menaxhimin e bujqësisë, me ndërtimet e paligjshme, me menaxhimin e trafikut, monitorimin e zjarreve, sigurinë kufitare dhe monitorimin e mjedisit.

Për ekspertin Azmer Duleviç, këto aplikime të teknologjisë, përkundër deklaratave të qeverisë, kanë kufizimet e tyre.

“Bëhet fotografimi i imazheve të herëpashershme i sipërfaqeve të ndryshme, por kur për shembull bie zjarr diku, nuk jepet alarmi në kohë reale, sepse sateliti nuk rri 24 orë sipër territorit tonë. Është thënë që do të përdoret edhe për parandalimin e trafiqeve, por kjo është e pavërtetë, sepse nuk janë këto satelitët që japin informacion real, siç është aktualisht Google Maps. Këto satelitë përdoren për pamjet që mund t’i shërbejnë kryesisht bujqësisë”, thotë ai.


Në komunitetin hapësinor, Shqipëria është tashmë në mesin e 80 shteteve që kanë satelitë, listë që kryesohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë mbi gjysmën, apo mbi 5 mijë satelitë, nga rreth 8700 në orbitë, sipas Kombeve të Bashkuara.

Një pjesë e madhe e satelitëve përdoren për qëllime komerciale kryesisht për komunikacion, si në rastin e gjigantit SpaceX të Elon Musk, ndërsa të tjerë për qëllime ushtarake apo për observimin e tokës, si në rastin e Shqipërisë.

Megjithatë, nëse çmimi që paguam për këto dy satelitë do t’ia vlejë, do të varet vetëm nga institucionet.

“Vendet e vogla rrallëherë hedhin satelitë, për kostot që kanë kundrejt shërbimeve që japin. E gjitha varet nga kapaciteti që kemi për t’i menaxhuar”, vijon Dulevic për A2 CNN. Marrëveshja e shtetit shqiptar me kompaninë Satellogic ka një afat 3-vjeçar.

Asnjë koment

Comments are closed.