24-11-2024

SBASHK-u kërkon kompensim shtesë për mësimdhënësit për punën gjatë vikendit

Sindikata e Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK), ka kërkuar kompensim shtesë nëse kërkohet që të mbahet mësimi gjatë vikendit.

Kjo kërkesë e SBASHK-ut, po konsiderohet si e drejtë nga njohësit e ligjeve në Kosovë.

Në kontratat kolektive të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës dhe Sindikata e Arsimit, thuhet se mbajtja e mësimit gjatë vikendit dhe festave zyrtare, duhet të paguhet së paku 50 për qind të mëditjes.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Ekonomia Online, duke cituar kontratën kolektive, ka thënë se zëvendësimi pa pagesë mund të bëhet me marrëveshjen ndërmjet palëve.

“Po t’u themi të drejtën, shkelja e parë që e ka bërë MASHTI është vetë kontrata kolektive, ngase neni 34. 8 e precizon se orët e humbura në grevë nuk zëvendësohen por kjo gjë mund të ndryshojë nëse dyja palët ulen dhe bëjnë marrëveshje të veçantë. Fatkeqësisht as me SBASHK-un, MASHTI nuk ka bërë asgjë me Këshillin e Prindërve sepse janë reaguesit më të mëdhenj kundër mbajtjes së mësimit të shtunave por edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës ka pasur vërejtje të njëjtë. Sa i takon SBASHK-ut, ne nuk mund ta ndryshojmë qëndrimin tonë, sepse këtë na obligon kontrata por e kemi parë që të shtunën e kaluar ka pasur shkolla që kanë insistuar që të punojnë dhe na mbetët ta respektojmë vullnetin e punëtorëve të arsimit, edhe pse ua kemi bërë me dije që kontrata nuk i obligon”, ka thënë Jasharaj.

Kryesindikalisti i arsimit e konsideron obligative që të paguhen punëtorët e arsimit nëse vendosin që të mbajnë mësim gjatë vikendit.

Ai thotë se nëse kërkohet nga mësimdhënësit që për këtë çështje t’i drejtohen gjyqësorit, do ta bëjnë një gjë të tillë, teksa shprehet i bindur se do ta fitojnë rastin.

“Ligji i punës edhe kontrata kolektive e precizon që java e punës është nga e hëna deri të premten, dhe nëse për cilin do shkak punëtorët e arsimit angazhohen ditëve të vikendit apo festave, është i obliguar shteti që t’i paguajë edhe pjesën për vikende që i bie afro 50 për qind më shumë sesa mëditja e zakonshme. Nëse vërtetë që punëtorët e arsimit do t’i kthehen të shtunave në punë dhe ata bëjnë kërkesë në SBASHK, ne do t’i dalim në mbështetje dhe lëndët do t’i dërgojmë dhe do t’i mbrojmë kolegët tanë përmes gjykatave, siç kemi bërë për shujtat dhe çështjet tjera që janë të garantuara me kontratë”, ka shtuar Jasharaj.

Edhe avokati Yll Zekaj, ka thënë se ligji i punës nuk i obligon mësimdhënësit të mbajnë mësim nëse nuk u paguhet sipas kontratës.

Zekaj ka thënë se mbajtja e mësimit gjatë vikendit, kompensohet me 50 për qind mbi mëditjen.

“Ligji i punës i parasheh edhe punën gjatë festave dhe gjatë fundjavës për të gjithë të punësuarit, edhe në këtë rast për punëtorët e arsimit. Çdo punë gjatë fundjavës apo festës, kompensohet me pagesë shtesë dhe kjo është 50 për qind mbi pagën bazë pra sa ekziston mëditja, nëse punon gjatë vikendit apo gjatë festave zyrtare, atëherë duhet të kompensohet me 50 për qind shtesë nga ajo që parashihet në mëditjen e tyre si pagë bazë”, u shpreh Zeka.

Ai është shprehur i bindur se Qeveria nuk mund t’i obligojë mësimdhënësit që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës. E vetmja arsye sipas tij mund të bëhet vetëm me marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatës.

“Ligji i punës gjithashtu parasheh kontratën dhe kontratën kolektive, në këtë rast punëtorët e arsimit kanë nënshkruar një kontratë kolektive me shtetin e cila parasheh edhe kriteret e zëvendësimit të orëve gjatë grevës, dhe kontrata kolektive e cila është ligj për palët e parasheh që zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës, mund të bëhet vetëm me marrëveshje ndërmjet partnerëve social, në këtë rast i bie se vetëm nëse ka marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatës mund të bëhet zëvendësimi pa pagesë i orëve të humbura gjatë grevës, në të kundërtën Qeveria obligohet që të paguajë orë shtesë nëse dëshiron që t’i angazhojë apo t’i obligojë mësimdhënësit që të punojnë gjatë ditëve të shtuna”, ka thënë Zeka.

Ndërsa Dibran Hoxha nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka kërkuar që të ketë marrëveshje ndërmjet dyja palëve, në mënyrë që orët e humbura të mbahen. Ai ka thënë se të vetmit që humbin në këtë rast janë fëmijët.

“Unë mendoj që orët e kompensuara veçse janë dhënë pagesat për shkak të grevës së shtatorit, por besoj që Ministria e Arsimit dhe SBAShK-u do ta zgjidhin këtë çështje sepse nuk pat bindje të orarit të ri të mësimit, edhe nuk pat marrëveshje dhe si rrjedhojë ata duhet ta shohin përmbajtjen e asaj kontrate kolektive, ta shqyrtojnë sepse i vetmi akterë që e pëson nga këto mosmarrëveshje janë fëmijët”, ka thënë Hoxha./EO/

Asnjë koment

Comments are closed.