30-11-2024

Schmitt: Në Ballkan ekziston vetëm një shtet që shkakton ngatërresa – ajo është Serbia

Historiani zviceran dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, ka kritikuar BE-në për mungesë presioni ndaj Serbisë, e cila, sipas tij, vazhdon të mbetet faktor negativ dhe destruktiv. Sipas Schmitt, kryeministri Albin Kurti dallon nga paraardhësit e tij ndaj të cilëve BE-ja mund të ushtronte lehtë presion ngase ishin të diskredituar nga aktivitetet me gjasë kriminale.

Në një intervistë dhënë gazetares Adelheid Wolfl të gazetës austriake “Der Standard”, historiani i njohur Oliver Schmitt ka akuzuar Serbinë për eskalim të situatës në Kosovë. Ai theksoi se kriza në veri të Kosovës nuk mund të shihet jashtë kontekstit të sulmit rus në Ukrainë.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka premtuar përkrahje të plotë për Serbinë, pra ndërlidhja e të dyja krizave është bërë nga vetë Rusia.

Me këtë prapavijë Serbia është duke ndërtuar kulisën e kërcënimit. Schmitt nënvizoi se po shihet qartë që presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka ndryshuar kurrë, ai mbetet çfarë ka qenë: ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit.

Vuçiqi, sipas Schmitt, po e përdor gjuhën e dikurshme duke e quajtur “llum terrorist” kryeministrin kosovar, i cili si lider studentor ka qenë në burgjet serbe.

Në pyetjen se a po synon Vuçiqi me manovrat e tij ndarjen e Kosovës dhe grabitjen e veriut, historiani Schmitt u përgjigj: “Ai (Vuçiq) e ka zgjeruar fushën manovruese. Por pjesë të rëndësishme të elitës serbe nuk janë të gatshme të heqin dorë nga Kosova në tërësi, ndonëse nuk shpjegojnë se si do te mund ta qeverisnin vendin kundër vullnetit të shumicës së popullsisë. Nuk është e sigurt nëse Vuçiqi e sheh si kërkesë maksimale marrjen e veriut”.

“Ndarja – e cila nga pikëpamja perëndimore duhet të hidhet poshtë – për Vuçiqin nuk do të ishte fundi i historisë. Disa vëzhgues mendojnë se me aneksimin e disa pjesë të Ukrainës do të kënaqeshin pretendimet ruse. Por në aspektin afatgjatë Putini nuk do të rrinte i qetë nëse do të merrte 20 për qind të Ukrainës – dhe Vuçiq nuk do të ishte i kënaqur përfundimisht nëse do të merrte veriun e Kosovës”, tha historiani zviceran.

Schmitt kritikoi Bashkimin Evropian për mirëkuptimin maksimal ndaj Serbisë duke theksuar se ky vend është faktor i rëndësishëm. “Kjo është e vërtetë. Por Serbia është para së gjithash faktor negativ dhe destruktiv. Shkaku i problemit është qeveria serbe, kjo duhet të thuhet qartë”.

Në konstatimin e gazetës së qeveria e Albin Kurtit javëve të fundit vazhdimisht është detyruar të lëshojë pe, pasi këtë e kanë kërkuar SHBA-ja dhe BE-ja, Oliver Schmitt u përgjigj: “Kurti ka ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve demokratike. Kurti është zgjedhur edhe për shkak se dëshironte të arrinte një pavarësi më të madhe nga shtetet perëndimore”.

“Ky është qëndrim legjitim duke pasur parasysh se ndaj paraardhësve të tij Perëndimi lehtë mund të bënte presion për shkak të komprometimit të tyre me gjasë kriminal. Shtetet perëndimore nuk duhet të kenë interes ta dobësojnë qeverinë Kurti, aq më tepër që Kosova, në krahasim me Serbinë, është demokraci funksionale. BE dhe SHBA duhet ta kenë po ashtu parasysh se kërkesat e tyre ndaj qeverisë kosovare mund të nxisin strukturat paralele serbe dhe potencialisht mund ta destabilizojnë Kosovën”, theksoi ai.

Schmitt deklaroi se në Ballkan ekziston vetëm një shtet që shkakton ngatërresa: ajo është Serbia. “Do të ishte e rëndësishme që edhe popullsisë serbe t’i bëhet e qartë se kjo nuk tolerohet më”, tha Schmitt.

Ai kërkoi që BE-ja ta vë Serbinë para zgjedhjes: të heq dorë nga loja e dyfishtë mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës dhe të vendosë për apo kundër integrimit në BE.

“Fundja Serbia nuk mund ta ndryshojë gjeografinë: ajo është e rrethuar me shtete të BE-së dhe NATO-s. BE-ja nuk e ka shfrytëzuar deri më tani fuqinë e saj dhe nuk i ka bërë presion Serbisë”, përfundoi Historiani zviceran dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt. /tema

Asnjë koment

Comments are closed.