Ndërkohë që qartësohen rezultatet përfundimtare të kandidatëve për deputetë, proces që edhe e ka shtyrë formimin e qeverisjes lokale të përbërë nga PDK dhe LDK në Prizren, së shpejti pritet të qartësohet edhe përbërja e ekzekutivit të Komunës së Prizrenit, përkatësisht kabineti i kryetarit Shaqir Totaj, i cili fitoi balotazhin e 9 nëntorit falë edhe mbështetjes së LDK-së, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Meqë ende nuk dihet nëse Kujtim Gashi do të marrë mandatin e deputetit, ka mbetur e paqartë edhe pozita e nënkryetarit. Emrat e drejtorëve ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht dhe nuk kanë kaluar në Kryesi, megjithatë në opinion tashmë po qarkullojnë disa emra.

Sipas burimeve të Gazetës së Prizrenit, nga radhët e PDK-së për postin e Drejtorit të Shërbimeve Publike pritet të emërohet Islam Ukimeri. Për këtë drejtori, siç mësohet, ka pasur edhe përçarje me ish-drejtorin Çelë Lamaj, i cili ka dhënë dorëheqje si nga pozitat në PDK ashtu edhe nga asamblisti komunal.
Sipas marrëveshjes së arritur mes PDK-së dhe LDK-së para balotazhit, e cila parasheh ndarjen e drejtorive komunale, LDK-së pritet t’i takojnë pesë sektorë.

Burime të Gazetës së Prizrenit bëjnë të ditur se LDK-ja, e cila i dha mbështetje kandidatit të PDK-së për kryetar, pritet të udhëheqë Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Drejtorinë e Urbanizmit, si dhe Drejtorinë e Shëndetësisë, sektorë këta me rëndësi të veçantë për jetën qytetare dhe zhvillimin urban të komunës.
Ndërkohë, për drejtoritë e tjera ende po zhvillohen bisedime. Jozyrtarisht, në tryezë janë përfshirë Drejtoria e Mirëqenies Sociale, Drejtoria e Bujqësisë, si dhe sektori i Tatimit në Pronë, i cili pritet të formohet si drejtori e veçantë.

Në qytet tashmë po lakohen edhe emra konkretë për drejtorët nga radhët e LDK-së, por kryetari i degës, Driton Selmanaj ka deklaruar për portalin se ende nuk ka asgjë zyrtare. “Këto ditë i përmbyllim konsultat dhe vendosim”, ka thënë ai për GeP.
Nga ana tjetër, ende nuk dihet se çfarë pozicioni do të ketë KDTP-ja, e cila po ashtu e ka mbështetur PDK-në në zgjedhje. Burime të afërta me këtë parti bëjnë të ditur se ajo mund të vazhdojë ta udhëheqë Drejtorinë e Kadastrës, por vendimi përfundimtar pritet pas konstituimit të qeverisjes lokale.

E paqartë mbetet edhe roli i Duda Baljes dhe i Nismës Socialdemokrate, të cilat gjithashtu kanë kontribuar në mbështetjen e Shaqir Totajt në zgjedhje.
Java e ardhshme pritet të qartësojë shumë çështje rreth qeverisjes lokale.
Ndërkaq, pak para Vitit të Ri, ish-drejtori i Shëndetësisë, Simir Krasniqi u zgjodh kryesues i Kuvendit të Prizrenit, ndërsa zv/kryesues i tij, u zgjodh Furkan Bütüç nga komuniteti turk. / Gazeta e Prizrenit
Lexo edhe:
Emërohen drejtorët e bordit të Ujësjellësit “Hidrodroregjioni Jugor” në Prizren


