26-11-2024

Sejdiu tregon detaje nga prapaskenat e 17 shkurtit 2008, si u vendos që kjo të jetë data e Pavarësisë?

Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka treguar prapaskenat e 17 shkurtit 2008 dhe të një dite më parë.

Sejdiu tha se ishin bërë përgatitje intensive për disa ditë rresht dhe ishin zhvilluar takime të shumta me miqtë e Kosovës.

“Nuk është një ditë e vetme. Janë disa ditë të cilat mund të konsiderohen si ditë të parapërgatitjeve intensive për të shpallur edhe pavarësinë e Kosovës, sepse ishin kompleks ngjarjesh dhe poashtu një volum i madh punësh që duhet të kryheshin. Ecja jonë deri në vendimin përfundimtar që 17 shkurti të jetë kjo ditë, është një varg përgatitjesh që janë bërë në kuptimin e takimeve të shumta që kemi pasë, posaçërisht me miqtë e Kosovës, sepse dëshironim që ajo ditë të ishte një ditë e suksesit të madh për të gjithë ne. Poashtu, të jetë e mbështetur fuqishëm sikurse që ishte i mbështetur procesi i deriatëhershëm i bisedimeve”, ka thënë Sejdiu në Klan Kosova.

Tutje Sejdiu ka treguar se kishte ide të ndryshme rreth datës së shpalljes së pavarsisë, deri kur u vendos për datën 17 shkurt.

“Ka pasë ide që janë plasuar në opinionin publik, se duhet të jetë kjo ditë apo tjetra. Zakonisht ishte prognoza e 28 nëntorit të vitit 2007, që de facto nuk ishte e mundshme të realizohej për shumë faktorë. Ndër faktorët kryesorë,  ishin se kishte disa çështje të mbetura që të përfundohen si duhet. Ishte çështja e konsultave tona, sidomos me njerëzit nga SHBA-të dhe vendet anëtare të BE-së”, tha Sejdiu.

Ish presidenti Sejdiu tregon tutje pse u vendos pikërisht data 17 shkurt.

“Është një hulumtim yni i thellë, i cili do të siguronte në mënyrën më të mirë të mundshme një realizim pa pengesa të formave të caktuara eventuale që mund të paraqiteshin. Kemi menduar që e diela është jo vetëm pjesë e vikendit , por edhe një kohë ku shumë nga faktorët ndërkombëtarë të mos jenë në orarin e tyre të rregullt të punës dhe të mos hynë në pjesën e shqetësimeve eventuale që mund të ndodhnin pasi kishim një trysni të veçantë, posaçërisht të Federatës Ruse për të ndërhyrë tek përfaqësuesit special, të Këshilli i Sigurimit dhe forma të tjera”, tha ai.

“Dhe në këta faktorë kemi vendosur që e diela e 17 shkurtit të realizohet ajo që kishim planifikuar. Them se janë bërë përgatitje jashtëzakonisht të mira teknike që kanë të bëjnë me pjesën e ceremonive që duhej të udhëhiqen. Janë bërë përgatitje të veçanta që kanë të bëjnë me adresimet që duhet ndodhin me faktorin ndërkombëtar dhe me vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara për njohje dhe adresime  në misionin europian”, tha Sejdiu.

Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, saktësisht të dielën në orën 15 e 39 minuta, 13 vjet më parë.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.