Selmanaj godet qeverisjen lokale në Prizren: Nuk kanë qeverisur Kryetaret, por grupet e interesit
Kandidati i LDK-se për kryetar të Komunës së Prizrenit, Driton Selmanaj, ka bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisjes lokale në këtë komunë, gjatë një interviste në emisionin “DPT te Fidani”. Sipas tij, që nga viti 2007, Prizreni nuk është udhëhequr realisht nga kryetarët e zgjedhur, por nga individë të fuqishëm të afërt me ta, përcjell Gazeta e Prizrenit.
“Që nga Eqrem Kryeziu e këndej, asnjë kryetar – qoftë Ramadan Muja, Mytaher Haskuka apo edhe tash Shaqir Totaj – nuk e ka ushtruar funksionin ekzekutiv në mënyrë reale. Vendimmarrja është dislokuar nga zyra e kryetarit dhe është zhvendosur te grupet e interesit,” tha Selmanaj.
Ai theksoi se shefat e kabinetit dhe individë me ndikim rreth kryetarëve kanë qenë realisht më të fuqishëm se vetë kryetarët.
“Qytetarët e Prizrenit e dinë shumë mirë se kush e ka pasur pushtetin e vërtetë – kush ishte më i rëndësishëm se Totaj sot apo se Haskuka dje. Askush nuk e mohon se vet Eqrem Kryeziu e ka udhëhequr realisht qytetin në kohën e tij,” u shpreh ai.
Selmanaj gjithashtu ngriti shqetësime serioze për situatën me zyrtarët komunalë. Ai deklaroi se aktualisht janë aktive pesë aktakuza ndaj zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, ndërsa pesë kallëzime të tjera penale janë në pritje në Prokurori. Sipas tij, kryetari aktual Totaj nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i suspenduar apo liruar nga detyra zyrtarët e përfshirë në hetime.
“Një gjë është e sigurt: nëse unë vij në pushtet, nuk do të ketë tolerancë për zyrtarë të tille . Institucionet komunale nuk mund të udhëhiqen nga individë që përballen me drejtësinë,” përfundoi ai.