22-10-2025

Selmanaj pas numërimit të votave: Rezultatet treguan se gara në Prizren ishte e pabarabartë – Ky nuk është fundi, por vetëm fillimi

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, ka reaguar disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, në të cilat partia e tij doli e treta me 10.49% të votave, përkatësisht 6,676 vota.

Në një reagim drejtuar qytetarëve të Prizrenit dhe simpatizantëve të LDK-së, Selmanaj ka falënderuar përkrahësit për mbështetjen dhe ka shprehur mirënjohje për besimin e dhënë gjatë fushatës.
“Për mua, si kandidat për herë të parë në zgjedhjet lokale, ky ishte një udhëtim i jashtëzakonshëm, ku pata mundësinë të dëgjoj shqetësimet, idetë dhe ëndrrat e shumë prej jush,” ka thënë Selmanaj.

Ai ka vlerësuar se gara në Prizren ishte e vështirë dhe e pabarabartë, duke theksuar se përballja e tij nuk ishte vetëm me kundërshtarët politikë, por edhe me dy pushtete – atë nacional dhe lokal.
“Edhe pse të gjithë e pranuan që ne si LDK kishim programin më të mirë dhe një listë të denjë për Kuvendin Komunal, kjo nuk u reflektua në rezultatet që prisnim,” ka deklaruar ai. Megjithatë, Selmanaj theksoi se 8,255 vota janë dëshmi e qartë se në Prizren ekziston një dëshirë për ndryshim dhe për një vizion të ri për të ardhmen.
Duke iu referuar trashëgimisë së LDK-së në Prizren, ai tha se kjo nuk është thjesht nostalgji, por një përvojë mbi të cilën mund të ndërtohet e ardhmja e qytetit.


Në përfundim të reagimit të tij, Selmanaj përcolli një mesazh shprese dhe angazhimi: “Ky nuk është fundi i rrugëtimit tonë. Përkundrazi, ky është vetëm fillimi. Nuk do të dorëzohemi, sepse besoj se Prizreni meriton më shumë: meriton zhvillim, transparencë dhe mirëqenie për të gjithë.”

LDK në Prizren nuk arriti të sigurojë një rezultat që do ta çonte në balotazh, por Selmanaj la të kuptohet se do të vazhdojë të jetë aktiv në politikën lokale dhe në forcimin e strukturave të partisë në qytet.

Asnjë koment

Comments are closed.