Serbi Pleskoviq i akuzuar për kri*me lufte në Prizren”, dëshmitari tha se e pa me uniformë e të armatosur pranë qendrës
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Millosh Pleskoviq, u dëgjua dëshmitari anonim “F1”, i cili deklaroi se të akuzuarin e njeh që nga koha e luftës dhe se e kishte parë të uniformuar e të armatosur pranë qendrës së Prizrenit.
Pleskoviq po akuzohet se gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari “F1”, i cili njëkohësisht ishte dëshmitari i fundit i propozuar në aktakuzë, u dëgjua përmes video-lidhjes me masa mbrojtëse për identitetin e tij, në përputhje me urdhrin paraprak për anonimitet.
Dëshmitari deklaroi se e njeh të akuzuarin Pleskoviq nga koha e luftës, duke theksuar se e kishte parë të veshur me uniformë ushtarake dhe të armatosur pranë qendrës së Prizrenit.
Sipas tij, Pleskoviq kishte vepruar në një grup së bashku me Bojan Gudiq, Milunin (ose Milen), Draganin, Nemanjën dhe disa persona tjerë të panjohur.
“F1” tha se kishte dijeni që Pleskoviq kishte vrarë tre civilë – dy vëllezër binjakë dhe një person tjetër, të identifikuar pasluftës si vëllezërit D., dhe F.B.
Ai shtoi se për herë të parë kishte dhënë deklaratë për këto ngjarje para rreth dy vitesh, me vullnetin e tij, dhe se identitetin e viktimave e kishte mësuar vetëm pasluftës, kur kishte njohur një nga anëtarët e familjes D.
Gjithashtu, dëshmitari “F1” deklaroi se njëri nga anëtarët e grupit, Bojan Gudiq, ia kishte konfirmuar pjesëmarrjen në vrasje, dhe se kishin planifikuar të vrisnin edhe katër deri pesë persona tjerë, të cilët tashmë ishin larguar për në Shqipëri.
Sipas tij, i akuzuari Pleskoviq kishte qëndruar për një kohë në Serbi pas luftës, ku jetoi deri në vitin 2019. Tha se i akuzuari ishte kthyer në Kosovë më 2019 ose 2020.
I pyetur se pse ishte kthyer Pleskoviq në Kosovë, dëshmitari tha se kishte dëgjuar se kishte pasur “disa probleme në Serbi”.
Prokurori Ilir Morina e pyeti nëse këto probleme kishin lidhje me një rast të tentim-vrasjes në Serbi. E këtë gjë e pohoi “F1”, duke shtuar se për këtë kishin dijeni edhe disa persona nga Serbia që e njihnin Pleskoviqin.
Ai tha se më vonë, miqtë e tij kishin mësuar se Pleskoviq ndodhej pranë Graçanicës, në një fshat afër, por nuk e dinin saktësisht vendndodhjen.
“F1” deklaroi gjithashtu se i akuzuari kishte qenë i denoncuar më herët në Polici, por kishte qenë i paarritshëm për autoritetet dhe të tjerët që e kishin kërkuar pa sukses.
Ndryshe, mbrojtjes i ishte refuzuar kërkesa për ta marrë deklaratën që ky dëshmitar e kishte dhënë më 13 shtator 2023 në Polici, me arsyetimin se nuk përbën provë në këtë procedurë, por është “informacion i mbyllur për dosjen gjyqësore”.
Por, në këtë seancë, trupi gjykues sqaroi se mbrojtjes i ishte dhënë deklarata që dëshmitari kishte dhënë në Prokurori, si relevante për çështjen.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99 në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.
Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.
Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.
Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.
Andaj, për këto veprime Pleskoviq po ngarkohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.