Sërish lulëzon asfalti në Kosovë
Përderisa pemët po lulëzojnë në stinën e pranverës, njëjtë po ndodhë edhe me asfaltin nëpër Kosovë.
Në fshatin Selishtë të Gjilanit shihen pamje nga bari i mbirë në asfalt, kjo rrugë ka pak kohë që është asfaltuar nga komuna e Gjilanit, shkruan Gazeta Express
Ky fenomen ka filluar të bëhet përditshmëri në rrugët dhe asfaltin e Kosovës me ardhjen e stinës së Pranverës.
Raste të tjera të çeljes së barit mbi sipërfaqen e asfaltit janë raportuar edhe në fshatin Çabiq të Klinës. Bimëve iu deshën më pak se pesë muaj për të shkatërruar asfaltin. Asfaltimi i rrugës Çabiq – Ujmirë ishte bërë nga Komuna e Klinës, në dhjetorin e vitit të kaluar. Pas raportimit të rastit komuna e Klinës kishte filluar menjëherë të “prishë” kopshtin mbi asfaltin e fshatit.
Njëjtë është raportuar edhe për fshatin e kryeministrit Haradinaj, aty nga pamjet shihet se si bari lulëzon mbi asfalt.
Për këtë kishte shkruar edhe deputeti Milaim Zeka në një postim në profilin e tij në Facebook. Ai kishte postuar edhe fotografitë nga vendi ku sipas tij ky asfalt ishte shtruar vetëm pesë muaj më parë.
“Pamje nga rruget e fsh. Gllogjan. Po me pyet nje qytetar: A ju vjen marre more? Para pese muajsh u shtru ky asfalt, shikojeni sot”, shkruan Zeka.