Shaqir Totaj përballë përçarjeve, skandaleve dhe sfidave zgjedhore në Prizren
Në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës, qeverisja e Shaqir Totajt në Prizren po kalon një nga periudhat më të trazuara të mandatit. Një valë skandalesh dhe përçarjesh të brendshme e ka tronditur qeverisjen lokale, duke i nxjerrë në pa pikëpyetje të shumta.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, ku asnjë nga drejtorët komunalë nuk pati guximin të garojë për deputet, që ishte diçka e pazakontë, kësaj radhe Totaj po përballet me mungesë serioze të figurave kredibile për listën e kandidatëve. Burime brenda partisë raportojnë se ai ka propozuar futjen në listë të drejtoreve komunal, të cilët shpesh janë vlerësuar nga qytetarët dhe analistët si figura amatore dhe të lehta për t’u instrumentalizuar.
Përplasje të brendshme dhe incident fizik nga anëtarët e kabinetit
Situata është komplikuar më tej nga tensionet në kabinetin e Totajt. Një incident fizik i raportuar mes shefit të kabinetit, Nehat Elshani, dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj, ka nxjerrë në pah ndarjet e thella dhe mungesën e koordinimit brenda qeverisë lokale. Kjo përçarje është reflektuar edhe në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve të kryetarit Totajt, me pakënaqësi mes figurave që më parë edhe e tepronin ekspozimin bashkë në qytet.
Si do të hartohet tani lista e kandidatëve? A është e mundur që ata dy të jenë në të njëjtën listë? A mund të dalin së bashku në fushatë? Si do të prezantohen para qytetarëve?!
Urbanizmi në qendër të hetimeve dhe skandaleve
Skandalet e kanë karakterizuar njërin prej sektorëve kyç të administratës. Arrestimi i zyrtares së urbanizmit, Shpresa Osmanollaj, për dyshime të keqpërdorimit të detyrës, ka tronditur reputacionin e komunës, ndërsa po hetohet edhe dhënia e lejes ndërtimore për kompleksin “Albanica Home” ( banesa te rreth-rrotullimi ) në lagjen Bazhdarhane, ku dyshohet për përfshirje të familjarëve të afërt me kabinetin e Totajt.
Dyshime për favorizime dhe subvencione për OJQ të lidhura me pushtetin
Në të njëjtën kohë, raportet e opozitës për keqpërdorime me ndarjen e subvencioneve për OJQ-të e lidhura me pushtetin kanë thelluar dyshimet për korrupsion. Më i përfoluri është rasti i OJQ-së “Tour Art”, që drejtohet nga bashkëshortja e fotografit të Totajt, dhe që përfitoi 35 mijë euro nga buxheti komunal.
Në anën tjetër qeverisja lokale tash nuk do ta ketë heshtjen e palës tjetër. Pas aksionit të fundit para ‘Shtëpisë së Bardhë’ në Prizren, të cilën opozita dhe analistët e ka cilësuar si zonë të kapjes dhe krimit, opozita pritet ta godasë pa reshtur Totajn dhe përgjegjësinë e tij politike.
Arsimi i neglizhuar dhe pakënaqësia e mësimdhënësve
Në sektorin e arsimit, Totaj ka humbur përkrahjen e një pjese të madhe të mësimdhënësve, për shkak të dështimit për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me shujtat dhe të drejtat e garantuara me kontratën kolektive të nënshkruar nga liderët e partisë së tij, PDK-së. Paradoksi qëndron në faktin se, në vend që të përkujdeset për obligimet financiare ndaj mësimdhënësve – duke i detyruar ata t’i kërkojnë të drejtat përmes gjykatës – për shkak të mungesës së vizionit dhe menaxhimit, qeverisja e Totajt i ka kthyer në Prishtinë rreth 15 milionë euro të pa shfrytëzuara nga buxheti gjatë dy viteve të para të mandatit.
Humbja e mbështetjes qytetare dhe ndëshkimi në zgjedhje
Këto zhvillime kanë reflektuar edhe në rezultatet zgjedhore. Në zgjedhjet e fundit, në muajin shkurt, Totaj dhe PDK u ndëshkuan nga votuesit, të cilët nuk u bindën nga propaganda dhe investimet kozmetike në qytet. Pra, VV që në Prizren është në opozitë, ka marrë 40 %, kundrejt PDK-se me 22 %.
Audio-incizimet dhe përceptimi i “kryetarit kukull”
Për më keq, qytetarët e Prizrenit nuk ia kanë harruar Totajt as audio-incizimet e publikuara më herët, ku dëgjoheshin biseda për kurdisje të vendimeve dhe proceseve brenda komunës, duke minuar më tej besimin publik në qeverisjen e tij. Ky skandal, i komentuar gjerësisht në opinion, ka ngulitur perceptimin se vendimmarrjet në komunë nuk janë as transparente, as të ligjshme.
Ndërkohë, brenda qytetit është përhapur perceptimi se Totaj nuk është vendimmarrësi real i qeverisjes komunale, duke e portretizuar atë si një “kryetar kukull”, një etiketim që më parë i kushtoi me humbje të mandatit edhe ish-kryetarit Haskuka. / Gazeta e Prizrenit
Shih edhe: